eksperti-banner

Organizata Albanians for America (AFA) ka reaguar lidhur me protestat publike që po zhvillohen në Shqipëri për projektet e propozuara turistike dhe zhvillimore përgjatë bregdetit jugor, përfshirë debatet e fundit që lidhen me zonën e Zvërnecit.

Në një deklaratë zyrtare, AFA thekson se shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë nuk duhet të interpretohen si kundërshtim ndaj investimeve amerikane apo partneriteteve ndërkombëtare.


“Shqiptarët prej kohësh e kanë mirëpritur angazhimin amerikan dhe vazhdojnë t’i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si një nga partnerët më të afërt dhe më të besueshëm të Shqipërisë,” thuhet në deklaratë.

Organizata nënvizon se investimet e huaja të përgjegjshme mund të krijojnë vende pune, të zgjerojnë mundësitë ekonomike dhe të kontribuojnë në prosperitetin afatgjatë të vendit.

Megjithatë, AFA vëren se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje kuptimplotë të publikut në proceset vendimmarrëse.

Sipas organizatës, qytetarët kanë të drejtë legjitime të kërkojnë qartësi dhe informacion mbi projektet që mund të ndikojnë zonat e mbrojtura natyrore, komunitetet lokale, trashëgiminë kulturore dhe të ardhmen e vijës bregdetare shqiptare.

Siç thuhet në njoftim debati aktual tejkalon një projekt të vetëm investimi dhe prek çështje themelore të qeverisjes demokratike.

“Çështja me të cilën përballet Shqipëria sot lidhet me mënyrën se si merren vendimet me rëndësi kombëtare, si konsultohen komunitetet dhe si arrihet një ekuilibër ndërmjet zhvillimit ekonomik, mbrojtjes së mjedisit dhe sundimit të ligjit,” thekson AFA.

Organizata shprehet se demokracitë e forta ndërtohen kur institucionet dëgjojnë qytetarët, adresojnë shqetësimet publike në mënyrë të hapur dhe zhvillojnë iniciativa madhore përmes proceseve të qarta dhe të parashikueshme. Sipas saj, këto parime nuk përbëjnë pengesë për investimet, por janë bazë e rëndësishme për besimin afatgjatë të investitorëve dhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

AFA gjithashtu thekson se, ndërsa Shqipëria vazhdon rrugën drejt integrimit evropian, besimi i publikut mund të forcohet përmes vendimmarrjes së hapur, qeverisjes së përgjegjshme dhe respektimit të pjesëmarrjes demokratike. /Telegrafi/