Osmani viziton të moshuarit në Suharekë dhe BIK-un: Një shoqëri që harron të moshuarit e saj, humb shpirtin

Ish-presidentja Vjosa Osmani, njëherësh bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit dhe kandidate e kësaj partie për presidente, ka zhvilluar disa vizita me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe solidariteti, humanizmi dhe kujdesi për qytetarët.
Fillimisht, Osmani vizitoi Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë, ku ndau atmosferën e festës me të moshuarit dhe theksoi rëndësinë e kujdesit dhe dinjitetit për ata që kanë sakrifikuar për shoqërinë.

Ajo u shpreh se “një shoqëri që harron të moshuarit e saj, humb shpirtin”, ndërsa falënderoi edhe Hoxhë Halil Kastratin për mikpritjen dhe kontributin humanitar.
Në kuadër të aktiviteteve për Kurban Bajramin, Osmani vizitoi edhe Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava.
Gjatë takimit, ajo vlerësoi angazhimin e Bashkësisë Islame për mbështetjen e familjeve në nevojë dhe bashkëpunimin për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në të dy vizitat u përcollën urime për paqe, shëndet, harmoni dhe begati në çdo familje, ndërsa u theksua se Kurban Bajrami mbetet simbol i solidaritetit, mirëkuptimit dhe afrimit mes njerëzve. /Telegrafi/







































