Osmani takon këshilltarin special të Trumpit: SHBA, mbështetje e palëkundur për Kosovën

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova vazhdon të ketë mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas takimit me Këshilltarin Special të Presidentit amerikan, Massad Boulos.
Në një postim, Osmani ka bërë të ditur se ka falënderuar përfaqësuesin amerikan për, siç u shpreh ajo, “mbështetjen e palëkundur të Administratës Trump për Kosovën”, duke theksuar edhe ftesën që Kosova të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
“Falënderova Këshilltarin Special të Presidentit Trump, z. Massad Boulos, për mbështetjen e palëkundur të Administratës Trump për Kosovën, përfshirë edhe për ftesën e SHBA-ve që Kosova të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes,” ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se pret vazhdimin e kësaj mbështetjeje në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Shpreha gjithashtu shpresën time që kjo mbështetje për popullin e Kosovës do të vazhdojë, ndërsa punojmë së bashku për të avancuar paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë,” ka deklaruar ish-presidentja.
Osmani ka theksuar gjithashtu orientimin e Kosovës ndaj SHBA-ve, duke e cilësuar vendin si “më pro-amerikan në botë”. /Telegrafi/



















































