LAJMI I FUNDIT:

Osmani i shpreh mirënjohje kryeministrit britanik për mbështetjen: Britania na ndihmon të mbajmë kufirin tonë të sigurt

Osmani i shpreh mirënjohje kryeministrit britanik për mbështetjen: Britania na ndihmon të mbajmë kufirin tonë të sigurt

Presindentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Granada të Spanjës është takuar me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.

Në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”, Osmani ka thënë se ka pasur rastin që të informojë kreun e Qeverisë britanike për situatën e sigurisë në Kosovës pas aktit të agresionit të Serbisë.


Po ashtu ka falendëruar Suank për forcat shtesë që Britania po dërgon në Kosovë në kuadër të KFOR-it, dhe ndihmën në ruajtjen kufirit dhe për të parandaluar akte të tjera.

Osmani ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës.

“Ne jemi mirënjohës që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po na ndihmojnë të mbajmë kufirin tonë të sigurt në mënyrë që të parandalojmë akte të mëtejshme agresioni. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse”, ka thënë Osmani.

Britania e Madhe dërgoi trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, me kërkesë të kësaj të fundit, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javën e kaluar.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi të dielën se do t’i zhvendosë rreth 200 trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, në ditët në vijim.

“Kjo njësi e ushtrisë britanike do t’i bashkohet forcës së NATO-s në Kosovë, pas një kërkese specifike nga komandanti suprem i Aleancës për Evropën, SACEUR, gjenerali amerikan Chris Cavoli”, thuhet në njoftim.

Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku./Telegrafi/