Osmani publikon agjendën e fushatës me LDK-në, sonte tubime në pesë qytete

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar agjendën e aktiviteteve të saj në kuadër të fushatës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2026.
Përmes një njoftimi, Osmani ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes do të marrë pjesë në pesë tubime elektorale në komuna të ndryshme të vendit, ku do të takojë qytetarë dhe mbështetës të LDK-së.
Sipas agjendës së publikuar, aktivitetet do të nisin në orën 17:00 në Viti, në Sheshin e Qytetit. Më pas, në orën 18:00, Osmani do të qëndrojë në Gjilan, në sheshin “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”.
Në vazhdim, ajo do të marrë pjesë në tubimin e organizuar në Ferizaj, para objektit të Komunës, duke filluar nga ora 19:00.
Ndërkaq, në orën 20:00 është paraparë një takim me qytetarët në Prishtinë, në Degën 1 të LDK-së, në hapësirën para Shkollës “Zenel Hajdini”.
Aktiviteti i fundit i ditës do të mbahet në Dobrajë të Madhe të Lipjanit, ku Osmani do të jetë e pranishme në qendër të fshatit, te ura, duke filluar nga ora 21:00.


































