LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Lidhja ndërmjet Pejës e Rozhajës është në interesin ekonomik të dy vendeve

Osmani: Lidhja ndërmjet Pejës e Rozhajës është në interesin ekonomik të dy vendeve
Foto: Arkiv

Lidhja ndërmjet Pejës e Rozhajës është në interesin ekonomik të dy vendeve, ka theksuar presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në këtë komunë.

Osmani në një konference për media bashkë me kryetarin Gazmend Muhaxheri tha se, do të gjenden mundësi për lidhjen me Kosovës dhe Malit të Zi.

“Unë e kam biseduar këtë temë së fundmi edhe me kryeministrinë e Malit të Zi duke potencuar urgjencën e lidhjes sa më të shpejtë ndërmjet Pejës dhe Rozhajës, sepse kjo është në interesin ekonomik të të dyja vendeve. Sa më i mundshëm të jetë ndërlidhja ndërmjet dy shteteve tona, sa më shkurt dhe më e lehtë të bëhet rruga, aq më i madh do të jetë shkëmbimi ekonomik dhe tregtar dhe lidhjet mes njerëzve. Kam biseduar edhe me Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti. Ka përkushtim nga ana e Kosovës që pavarësisht kostos që siç e dini do të jetë e lartë, sa më parë të gjendet mundësia që të investohet sa më parë të krijohet lidhje në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”, tha Osmani.

Ndërsa, kryetari Muhaxheri tha se kostoja e Kosovës për lidhjen Rozhajë-Pejë është më pak e kushtueshme.

“Mali i Zi ka qasje në fondet e BE-së. Mund ta realizojë shumë lehtë, ndërsa neve si Republikë e Kosovës na mbetet transiti dhe pjesa deri mbi Radavac si zgjerim i rrugës ose të bëhet komplet rrugë e re. Sa i përket Kosovës çështja e ndërtimit të kësaj traseje nuk është i shtrenjtë, por është e shtrenjtë pjesa që i takon Malit të Zi”, theksoi Muhaxheri.

Në kuadër të kësaj vizite, shefja e shtetit do të vizitojë ekspozitën e përgatitur nga fëmijët me nevoja të veçanta, po ashtu do të zhvillojë takim me OJQ-të nga komunitetet jo-shumicë. /Telegrafi/