Bizneset kërkojnë zgjidhje urgjente: Kosova nuk përballon krizë të zgjatur

idhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësim të thellë për zgjatjen e ngërçit institucional dhe klimën e tensionuar politike në vend, duke kërkuar veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm nga liderët institucionalë.
LBK thekson se, ndonëse nuk ndërhyn në proceset politike, interesimi i saj lidhet drejtpërdrejt me nevojën që Kosova të ketë institucione funksionale, stabilitet institucional, sundim të ligjit, transparencë dhe një mjedis të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët.
Sipas kësaj organizate, zgjatja e krizës institucionale po krijon pasiguri për qytetarët dhe komunitetin e biznesit, ndërsa mund të ndikojë negativisht në investimet e reja, reformat ekonomike dhe qasjen e Kosovës në mekanizma e programe të rëndësishme financiare ndërkombëtare.
“Çdo vonesë institucionale ka kosto ekonomike”, thuhet në reagimin e LBK-së, ku theksohet se kjo situatë ndikon në investime, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e prodhimit vendor dhe aftësinë e kompanive për planifikim afatgjatë.
LBK vlerëson se shqetësimi i komunitetit të biznesit është shtuar edhe për shkak të problemeve me të cilat po përballen ndërmarrjet në Kosovë.
Në veçanti, prodhuesit vendorë po përballen me rritjen e kostove, konkurrencën e produkteve të importuara, vështirësitë në treg, kostot e energjisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe pasigurinë që vështirëson planifikimin e investimeve.
“Bizneset nuk kanë nevojë për më shumë pasiguri. Ato kanë nevojë për stabilitet, vendimmarrje, reforma dhe politika ekonomike të qarta dhe të parashikueshme”, deklaron LBK.
Në reagim përmenden edhe të dhëna nga një hulumtim i realizuar në maj të vitit 2026, të cilat, sipas LBK-së, tregojnë për shqetësime serioze sociale dhe ekonomike.
Sipas këtyre të dhënave, 44 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç deklarojnë se mendojnë të largohen nga Kosova.
Po ashtu, kostoja e jetesës paraqitet ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, veçanërisht në raport me çmimet e mallrave të konsumit dhe energjisë elektrike.
LBK vlerëson se këto të dhëna duhet të shërbejnë si sinjal për institucionet që fokusi të rikthehet te problemet konkrete të qytetarëve dhe ekonomisë.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe institucioneve që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës aktuale dhe në funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Interesi ekonomik i vendit duhet të jetë mbi çdo kalkulim afatshkurtër”, thekson LBK.
Sipas saj, Kosovës i nevojitet një ambient institucional ku bizneset mund të investojnë, prodhuesit të zhvillohen, punëtorët të kenë vende të sigurta pune dhe të rinjtë të shohin perspektivë për të ardhmen në vend.
LBK ka deklaruar se mbetet e gatshme të kontribuojë në mënyrë profesionale dhe konstruktive në çdo proces që synon përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e ekonomisë dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për sektorin privat.
“Sot më shumë se kurrë, Kosovës i duhet funksionalitet institucional, stabilitet ekonomik dhe një fokus i përbashkët te zhvillimi”, përfundon reagimi i LBK-së. /Telegrafi/


































