LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Kërcënimet për emërimin e Kryeprokurorit erdhën nga persona brenda sistemit prokurorial

Osmani: Kërcënimet për emërimin e Kryeprokurorit erdhën nga persona brenda sistemit prokurorial
Foto: Arkiv

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për presionin sipas saj të jashtëligjshëm që Këshilli Prokurorial i Kosovës ia ka bërë asaj për dekretimin e Blerim Isufajt për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe për kërcënimet që ka marrë për këtë proces, e që tha se ato kërcënime i erdhën nga persona brenda sistemit prokurorial.

“Nga personat që janë brenda sistemi prokurial, por dua t’i mbrojë personat që kanë dhënë informatat”, tha Osmani.


Sipas saj, ka qenë e paprecedentë që KPK të bëjë presion përmes kërkesave për dekretim, duke ditur se gjitha ankesat po adresoheshin nga gjykatat kompetente.

“ E kanë ditur që e vetmja çka Presidentja bënte është respektimi i parimeve të sigurisë jurdike dhe sundimit të ligjit, sepse kur ndërhyja unë përderisa rastet kanë qenë akoma duke u shqyrtuar, atëherë kjo do ua mohonte të drejtat themelore kundërkandidatëve dhe do t’i cenonte këto të drejta”, ka vlerësuar Osmani në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus” në KTV.

Osmani foli edhe për kërcënimet që ajo thotë t’i ketë marrë gjatë kohës kur po pritej për dekretimin apo jo të Isufajt.

“Arsyeja pse unë sot nuk i bëra publike detajet është për shkak se si Presidente e vendit e kam edhe detyrim moral që t’i mbroj personat të cilët kanë sinjalizuat të gjitha informatat që kanë ardhur në zyrën time me dëshmi konkrete në lidhje me këto kërcënime. Është shumë me rëndësi që njerëzit të inkurajohen edhe më tej që çkado që ata shohin si shkelje brenda gjitha institucioneve do të thoja jo vetëm sistemit të drejtësisë”, u shpreh ajo.

Por, Presidentja e vendit u shpreh edhe njëherë se qëllimet nuk arrihen me kërcënime por me respektimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit.

“Nuk mund të vish në tavolinën e Presidentes me qindra shkelje dhe pastaj të mendosh që mund të arrish qëllimet tua me kërcënime ndaj kreut të shtetit, në një sistem normal ku vërtetë funksion sistemi i drejtësisë, këto gjera fare nuk do të lejoheshin”, tha ajo.