LAJMI I FUNDIT:

OShP dhe ambasada britanike me memorandum për ngritje të transparencës publike

OShP dhe ambasada britanike me memorandum për ngritje të transparencës publike

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, që ka për qëllim ngritjen e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies publike të OShP-së.

Me rastin e nënshkrimit të memorandumit, kryetari i OShP-së Blerim Dina, ka thënë se ka nevojë për më shumë pavarësi në OShP.


“Mbështetje teknike për OShP për ngritje të kapaciteteve teknike. Bashkëpunimi reciprok dje mbështetja që OShP do ta pranojë nga Mbretëria e Bashkuar ka për qëllim ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë. Edhe sot ritheksoi nevojën për më shumë pavarësi në OShP që të kryejmë detyrat pa ndërhyrje nga jashtë”, tha ai.

Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, ka thënë se prokurimi publik gjithmonë ka qenë problematik në Kosovë.

“Nuk është sekret që prokurimi publik ka qenë problematik, jo tash, por gjithmonë ka qenë problematik. Është shumë e rëndësishme për Kosovën që prokurorimi publik të ndreqet. 60 përqind e tatimeve prej tatimpaguesve shpenzohen sipas prokurimit publik, do të thotë që nëse ky sistem nuk funksionon nuk ka shans që këto tatime të përdoren siç duhet, nuk ka shans që qytetarët të marrin shërbimet dhe nuk ka shans që të ketë demokraci pasi të gjithë këto tatime do të keqpërdoren. Po shpresoj që me fillimin e bashkëpunimit mes nesh mund të kemi arsye për shpresë për këtë fushë. Dua të përgëzoj vendimin e qeverisë që janë marrë vesh për të përdorur memorandumet për të rekrutuar dy anëtarë të bordit të OShP-së, “, tha ai.