LAJMI I FUNDIT:

Opozita me kritika ndaj Qeverisë, Kurti po dëmton raportet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë

Opozita me kritika ndaj Qeverisë, Kurti po dëmton raportet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë

Tri partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po konsiderojnë se veprimet e Qeverisë Kurti po dëmtojnë raportet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë.

Vendimi i fundit i Qeverisë, ku shpalli terroriste organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zastita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), të cilat veperojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, ishte edhe një vendim i Kurtit për të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pohuan se nuk kanë pasur koordinim me Qeverinë Kurti.


Derisa deklaruan se nuk kanë pasur koordinim, SHBA-të i kanë bërë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm.

E, veprimet e tilla po konsiderohen nga opozita se po dëmtojnë raportet e Kosovës me aleatët.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka thënë për Telegrafin se është shqetësuese se në çfarë pozicione janë raportet me SHBA-në.

“Është vërtetë shqetësuese në çfarë pike ka ardhur pozicioni i Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, injorimi i tyre dhe mungesa e koordinimit konform për veprimet e nxituara të qeverisë, në pjesën veriore të vendit do të sjellë pasoja të rënda për vendin”, është shprehur ajo.

Deputetja Krasniqi shtoi tutje se tashmë janë paralajmëruar sanksione për vendin, dhe se sipas saj, këto do të sjellin pasoja të mëdha në shumë segmente.

“Tani për tani nuk është çështja se a po dëmtohen raportet, por sa po dëmtohen ato, sepse siç jeni në dijeni veç janë paralajmëruar sanksione për vendin dhe këto do të sjellin pasoja të mëdha në shumë segmente, ku më së shumti do të afektohet ekonomia, sepse siç dihet një pjesë e konsiderueshme e fondeve për vendin janë nga SHBA”, tha mes tjerash ajo.

Rrezarta Krasniqi, deputete e Kuvendit të Kosovës (LDK)

Krasniqi shtoi tutje se “ndodhemi në një situatë në të cilën nuk kemi qenë asnjëherë”.

“Raportet tona me Amerikën nuk kanë qenë asnjëherë më të këqija. Gabim dhe e pafalshme për Qeverinë Kurti”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbështet vendimin e fundit të Qeverisë për shpalljen e dy organizatave terroriste, por që thonë se veprime të tilla duhet të jenë të koordinuara me miqtë ndërkombëtarë.

“E kemi parë vendimin e fundit Qeveritar për shpalljen e dy organizatave si terroriste. Ne si AAK mendojmë që është veprim i duhur që çdo organizatë apo aktor relevantë që cenon sigurinë e vendit duhet të mbikëqyret, dhe pse jo të identifikohet dhe shpallet si subjekt i papranueshëm dhe i rrezikshëm për shtetin tonë. Por, për këto vendime shtetërore mendojë që krijohen edhe efekte politike, prandaj në këto tema nacionale duhet edhe një bashkëpunim e bashkërendim me të gjithë akterët politik e shoqëror brenda vendit si dhe faktorin ndërkombëtarë”, ka thënë deputeti Lekaj për Telegrafin.

Pal Lekaj, deputet i Kuvendit të Kosovës (AAK)

Lekaj shtoi tutje se “politikat nacionale dhe ato të jashtme duhet patjetër ta kenë miratimin e shteteve ndërkombëtare mike të Kosovës, sepse praktika ka dëshmuar që çdo gjë ka dështuar kur nuk kemi pasur përkrahjen e tyre”.

Deputeti bëri thirrje që Qeveria të ketë bashkëpunim me partitë politike në Kosovë si dhe bashkërendim me ndërkombëtarët.

“Mbi këtë logjikë dhe kurs politik, i bëjmë lutje Qeverisë që të këtë unitet dhe bashkëpunim me subjektet politike në vend si dhe bashkërendim me ndërkombëtarët”, u shpreh ai.

Edhe në Partinë Demokratike të Kosovës janë shprehur të shqetësuar për raportet Kosovë-SHBA.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria Kurti po rrënon kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ja në çfarë niveli kemi arrit në raportet tona me aleatët. SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania publikisht demantojnë Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës lidhur me vendimin e djeshëm për dezignimin e dy organizatave si terroriste. Kjo qeveri çdo ditë e më shumë po e rrënon kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë ajo.

Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së

Tutje, ajo ka parashtruar pyetje se me kënd po koordinohet Qeveria nëse jo me miqtë?

“Nëse për çështje kaq të ndjeshme të sigurisë qeveria nuk koordinohet me SHBA, U.K dhe Gjermaninë, e megjithatë deklarohet se ka pasur koordinim me ndërkombëtarët, pyetja është me kë janë bashkërenduar?!!! Me cilët ndërkombëtarë?”.

Sipas Çitakut, me qasjen e Qeverisë Kurti po rrezikohet tërë Kosova.

“Me këtë qasje avantureske nuk po rrezikohet vetëm veriu i vendit, por tërë Kosova dhe gjithçka që është arritur me shumë mund dhe sakrificë”, shtoi ajo.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes i ka shpallur terroriste organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – të cilat operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se këto dy organizata paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë.

“Bazuar në vlerësimin e institucioneve të sigurisë, këto formacione ilegale paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë. Për këtë e nisur nga fakti se kërcënimi ndaj rendit juridik e kushtetues ndaj vendit tonë është i pakompromisë e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ shpallen organizata terroriste”, u shpreh ai.

Pas këtij vendimi, kanë reaguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

SHBA: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, vendim i pakoordinuar
Lexo po ashtu SHBA: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, vendim i pakoordinuar

Theksojmë që sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb. Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

Tensione në veri ka pasur që nga data 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë zyrtarisht detyrën.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar ata, duke organizuar protesta të dhunshme dhe duke tentuar të hyjnë me forcë në objektet komunale. Nga protestat e dhunshme u lënduan policë, ushtarë të KFOR-it, dhe ekipe të mediave.

Lidhur me sulmet, Policia ka arrestuar tashmë disa të dyshuar. Thirrje për de-eskalimin e situatës kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. /Telegrafi/