Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, Adem Shehu, oficer nga Shqipëria dhe ish-komandant i Brigadës 153, ka thurur fjalë miradie për ministrin Ejup Maqedonci, duke theksuar se ai ishte stërvitur më herët edhe në Shqipëri.

Shehu e cilësoi Maqedoncin si bashkëluftëtar dhe si pjesë e gjeneratës që, sipas tij, la rehatinë e Perëndimit për t’iu përgjigjur thirrjes së Kosovës.


“Në krah kam bashkëluftëtarin tim që me moshatarët e tij la luksin e Perëndimit dhe i thirri Kosova. Ata kishin veten më rehat në Zvicër, në Gjermani, në Belgjikë. Po geni i detyroi të vijë dhe të kontribuojë për Kosovën”, ka deklaruar Shehu.

Ai shtoi se Maqedonci, pas angazhimit në luftë, ka vazhduar kualifikimet profesionale duke përfunduar dy akademi, duke e vlerësuar këtë si zhvillim të rëndësishëm për institucionet e sigurisë.

“Ky është një hap cilësor, që po ia besojmë ardhmërinë të atyre djemve që digjeshin në luftë, sot menaxhojnë sigurinë e Kosovës… Ky është një koleg u im Ejup Maqedonci”, u shpreh Shehu.

Ndërkohë, sot u bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Velani dhe te shtatorja e Heroit të Kombit Zahir Pajaziti, si dhe te lapidari i dëshmorëve të Batalionit të Parë të Brigadës 153 në Sharban./Telegrafi/