Rëndësia e përgjegjësisë sociale korporative (CSR) është shtuar sidomos pas periudhës së shpërthimit të pandemisë COVID-19, e cila ka theksuar nevojën për veprime të përgjegjshme, ndërsa një numër i madh i kompanive në vend kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta zbutur ndikimin e pandemisë tek shoqëria.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi sot një konferencë me një panel ekspertësh në këtë fushë, gjatë së cilës u diskutuan fazat dhe parimet e CSR, si dhe trendet globale për t’u ndjekur në zhvillimin e mëtejmë të kësaj praktike, thuhet në njoftimin për media.

Ariel Shaban, kryesues i Komitetit të Përgjegjësisë Sociale Korporative të Odës Amerikane dhe drejtor për zhvillim të biznesit & menaxher i kualitetit në KIVO, i cili ishte edhe moderator i kësaj konference theksoi nevojën për fuqizimin e CRS brenda kompanive, marrë parasysh ndikimin pozitiv që ka mbi shoqëri derisa shtoi se gjatë kohës së pandemisë korporatat u kanë qëndruar afër qytetarëve përmes veprimtarive të përgjegjësisë sociale që kanë.

Wayne Visser, kryesues i organizatës Sustainable Transformation dhe profesor në shkollën e menaxhmentit të Antwerp, njoftoi pjesëmarrësit me pesë fazat e përgjegjësisë sociale të korporatave nëpër të cilat kalojnë ndërmarrjet, të cilat janë ajo mbrojtëse, të bamirësisë, promocionale, strategjike dhe transformative. Sipas Visser, gjatë zhvillimit dhe avancimit të korporatave, ana e përgjegjësisë sociale duhet të transformohet njëkohësisht, duke u përshtatur me klientët dhe nevojat e tregut në shërbim të së mirës së shoqërisë, derisa shtoi se është e rëndësishme që secila ndërmarrje që e ka të avancuar departamentin e CSR, t’i koordinoj veprimtaritë e veta në bazë të fushës ku ajo vepron. Ai po ashtu theks të veçantë i dha nevojës për rritjen e vetëdijes ndaj CSR, derisa shtoi se gjendja e pazakontë e krijuar nga pandemia ka sjellë një ndryshim të madh në kërkesat dhe thirrjet për ndihmë nga shoqëria civile drejt korporatave. Për fund, Visser shtoi se edhe pse pandemia ka çrregulluar rrënjësisht ekonominë, dhe rrjedhimisht të hyrat e korporatave, çdo vepër që i shërben të mirës kolektive, qoftë ajo në mbrojtjen e ambientit, përmirësimin e cilësisë e ushqimit apo donacioneve bën pjesë në CSR.

Indira Kartallozi, drejtoreshë ekzekutive e Sustainability Leadership Kosova u shpreh mjaft e kënaqur për gatishmërinë e korporatave për të qenë më aktive në shërbim të shoqërisë, gjersa potencoi se trendet e përgjegjësisë sociale tashmë kanë filluar të kalojnë nëpër ndryshime të mëdha të imponuara nga pandemia COVID-19 si dhe nga kërcënimet e tjera që i kanosen njerëzimit siç është ngrohja globale. Sipas saj, një shtysë tjetër drejt implementimit të ndryshimeve mbi këtë fushë janë politikat e huaja si dhe presioni i ushtruar mbi kompanitë më me ndikim. Ajo mori shembull disa biznese kosovare të cilat veprimtaritë e tyre i kanë reformuar për t’u përshtatur me nevojat e tregut pas shpërthimit të pandemisë, aktivitete të cilat sipas saj klasifikohen si përmbushje e përgjegjësisë sociale korporative. Tutje, Kartallozi shtoi se një trend pozitiv i rritjes së përgjegjësisë sociale po vërehet tek bizneset startup të vendeve në zhvillim, të cilat po përdorin inovacionin për t’i shërbyer zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Antigona Limani kryesuese e marketingut dhe departamentit për marrëdhënie me publikun në Raiffeisen Bank tha se kompania që ajo përfaqëson gjendet në fazën strategjike të përgjegjësisë sociale korporative. Sipas saj, kjo bankë synon të mbështesë ndërmarrjet të cilat kanë ndikim pozitiv në ekonomi dhe ambient, derisa ky parim fillimisht ka krijuar mjaft sfida ndërsa tani standardet e bankës për përgjegjësi sociale u imponohen edhe bizneseve me të cilat bashkëpunojnë. Limani theksoi se periudha e pandemisë ka shkaktuar ndryshime në mënyrën se si sektori bankar në përgjithësi i shfrytëzon fondet, dhe të njëjtat do të alokohen dhe investohen në ato industri që i shërbejnë mirëqenies publike duke përmbushur kështu parimin kryesor të CSR-it. /Telegrafi/