LAJMI I FUNDIT:

OAK, Presidentit: Mos dekretoni ligje në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Investime

OAK, Presidentit: Mos dekretoni ligje në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Investime

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i është drejtuar sot me një letër Presidentit të Republikës së Kosovës që në bazë të kompetencave që i jep Kushtetuta, ta kthen Ligjin për Shoqëritë Tregtare edhe njëherë në Kuvend të Kosovës me qëllim që të eliminohet neni 34 pika 2 ose të riformulohet sipas parimeve demokratike të një ekonomie të lirë dhe konkurruese, ne koordinim te plot me komunitetin e biznesit.

“Komuniteti i biznesit i cili përfaqësohet nga Oda e Afarizmit të Kosovës është jashtëzakonisht i shqetësuar me miratimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, respektivisht neni 34, pika 2 e këtij ligji, i cili i detyron bizneset private që në bordet e tyre të kenë 40 për qind gra dhe pas dy viteve 50 për qind. Ky nen me këtë formulim, pos që është ndërhyrje e drejtpërdrejt në autonominë e biznesit për ta drejtuar biznesin e tij, është edhe në kundërshtim me frymën kushtetuese të Kosovës. (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Kapitulli 1, Neni 10. Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës)”, thuhet në reagimin e OAK-ut, dërguar Presidentit, përcjell Telegrafi.


Oda e Afarizmit kërkon të mos dekretohet Ligji për Shoqëritë Tregtare
Lexo po ashtu Oda e Afarizmit kërkon të mos dekretohet Ligji për Shoqëritë Tregtare

Sipas OAK-ut, ndërhyrja në autonominë e biznesit përmes ligjeve të cilat kanë për qëllim “rritjen e numrit të grave në vendimmarrje” nuk ndihmon në krijimin e vendeve të reja të punës dhe mbi të gjitha krijon barriera për investitor të mundshëm nga bota.

Qeveria e Kosovës më në fund pas 10 viteve pavarësi ka funksionalizuar Ligjin për Investime Strategjike për të mundësuar ardhjen e investimeve të huaja. Me hyrjen në fuqi të këtij amendamenti i cili nuk ekziston në asnjë vend në Evropë, Kosova praktikisht po bllokon ardhjen e investimeve shumë milionëshe duke Ju ndërhyrë drejtpërdrejt në mënyrën e menaxhimit të kompanisë.

Oda Amerikane: Imponimi i përfaqësimit gjinor në kundërshtim me Kushtetutën
Lexo po ashtu Oda Amerikane: Imponimi i përfaqësimit gjinor në kundërshtim me Kushtetutën

“Duke marrë parasysh këto, Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga Ju i nderuari President, që në bazë të kompetencave që ju jep Kushtetuta, ta ktheni ketë ligj edhe njëherë në Kuvend të Kosovës me qëllim që të eliminohet neni 34 pika 2 ose të riformulohet sipas parimeve demokratike të një ekonomie të lirë dhe konkurruese, ne koordinim te plot me komunitetin e biznesit. Oda e Afarizmit të Kosovës është në përkrahje të çdo iniciative që do të ndihmonte rritjen e numrit të grave në biznes dhe vendimmarrje, por kërkon që këto iniciativa të diskutohen paraprakisht me biznesin si dhe të jenë në harmoni me parimet e një tregu të lirë dhe një ekonomie konkurruese. Tregu i lirë është ndërtuar në bazë të konkurrencës së drejtë dhe meritokracisë në punësim dhe qeverisjes korporative”, vijon reagimi i OAK-ut. /Telegrafi/