Një zyrtar i Pentagonit që kërkoi të jetë anonim tha për New York Times se Yevgeny Prigozhin ishte në të vërtetë në Rusi pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit.

Shefi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin thuhej se ishte internuar në Bjellorusi pas rebelimit kundër presidentit rus, Vladimir Putin.


Megjithatë, zyrtari amerikan ka deklaruar se një njeri që i ngjan Prigozhinit ka udhëtuar drejt shtetit bjellorus ndërsa origjinali ka qëndruar gjatë gjithë kohës në Rusi, gjegjësisht në vendlindje, Shën Petersburg.

Prigozhin 3

“Ai mund të ketë përdorur një dyshe për ta bërë të duket sikur është arratisur nga Rusia”, tha zyrtari.

“Asnjë nga njësitë e Wagnerit nuk është dërguar në Bjellorusi dhe shumica janë ende në Ukrainë”, shtoi ai.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka deklaruar ditë më parë se ishte e paqartë nëse luftëtarët e Wagnerit do të vinin në shtetin bjellorus pasi ai më parë u ofroi atyre një bazë ushtarake.

"Sa i përket Prigozhinit, ai është në Shën Petersburg. Ai nuk është në territorin e Bjellorusisë", tha lideri bjellorus.

Duke iu përgjigjur kësaj deklarate të Aleksandër Lukashenkos, Kremlini njoftoi se "nuk ndjek" lëvizjet e Prigozhinit. /Telegrafi/