LAJMI I FUNDIT:

Nxënësja Diellë Duga fiton bursë të plotë 4-vjeçare në Universitetin prestigjioz amerikan

Nxënësja Diellë Duga fiton bursë të plotë 4-vjeçare në Universitetin prestigjioz amerikan

Ka nisur të mësohet me shijen e vërtetë të suksesit, me atë se çfarë do të thotë të vjelësh mjeshtërisht frytet e një pune dhe mundi disavjeçar, e sot emri i Diellë Dugës, nxënëse e ‘The British School of Kosova’ dhe anëtare e ‘American Advising Center’, është përkrah studentëve të University of Pennsylvania (SHBA)

Zgjedhja e profesionit për shumëkënd nuk është vetëm çështje talenti, pasioni, por sakaq edhe plot përgjegjësi për t’u përmbushur edhe më tej, në rrugëtimin e studimeve dhe karrierës.


Ambicioze dhe e gatshme për të luftuar në arritjen e synimit të radhës, Diella është mishërim i plotë i një suksesi të fituar falë përkushtimit, punës së palodhur, mësimeve të shumta dhe orëve të pakta të gjumit.

Me plot sfida të pritshme në rrugëtimin e saj, ajo do të ndjekë studimet në shkenca politike, ekonomi dhe biznes, në University of Pennsylvania (SHBA), i cili i ka ofruar bursë të plotë me rreth 320 mijë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme, pa përfshirë këtu edhe programet internacionale.

Ky universitet bën pjesë në grupin e universiteteve më prestigjioze të Amerikës “Ivy League”, ku janë të përfshira si Yale University, Harvard University, Cornell University, etj.

Pasi falënderon Organizatën ‘Education Usa’ dhe Ambasadën Amerikane, kjo bursiste shprehet se dijen e fituar në SHBA, do ta zbatojë aty ku ka nevojë, por edhe në Kosovë.

Diellë Duga inkurajon të gjithë të rejat dhe të rinjtë që, vetëm përmes punës, mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre për t’u bërë pjesëtar/e e dobishme e shoqërisë. /Telegrafi/