LAJMI I FUNDIT:

Nuk ka më shpëtim për Rusinë e Vladimir Putinit

Nuk ka më shpëtim për Rusinë e Vladimir Putinit

Richard Kemp, ish-kolonel në Armatën britanike / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Për askënd nuk është befasi se pse Putini synon ta shfrytëzojë luftën midis Izraelit dhe Hamasit. Vetëm gjatë kësaj javë ka pasur telefonata me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, si dhe me liderët e Egjiptit, Sirisë dhe Iranit, duke pretenduar se dëshiron të negociojë për armëpushim. Njeriu përgjegjës për derdhjen e sasive të mëdha të gjakut në mbarë botën, dhe veçanërisht në Ukrainë, tani thotë: “Ajo që tani ka rëndësi është ndalja e gjakderdhjes”.


Megjithatë, nëse presidenti rus mendon se ndërhyrja e tij do të sjell ndonjë ndryshim, ai veten po e mashtron. Është farsë ideja se Moska mund të ketë ndikim të rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Çfarëdo reputacioni që kishte si fuqi botërore, është shkatërruar në Ukrainë. Gjatë javës kemi parë edhe më shumë arsye përse.

Të martën, forcat ruse u tronditën nga sulmi i befasishëm i Kievit – me raketat ATACMS me rreze të gjatë veprimi – kundër pistave ajrore ruse në Berdianskin dhe Luhanskin e pushtuar, që disa po e cilësojnë si sulmin më të rëndësishëm të ukrainasve në muajt e fundit. Thuhet se rusët pësuan humbje të konsiderueshme dhe se do të detyrohen t’i zhvendosin aeroplanët më larg nga vija e frontit – një dëmtim ky operacional, si dhe poshtërim publik. Ndërkohë, në zonën e Kupianskit, duket se forcat ukrainase kanë mposhtur ofensivën e rëndësishme ruse – një blickrig në miniaturë – që prej disa javëve po zhvillohej.

Ndonëse vjeshtën e kaluar forcat e Putinit janë përshtatur dhe zgjeruar nga pika më e ulët, duhet përsëritur se ushtria e tij mbetet në gjendje të vështirë – 18 muaj pas fushatës trijavore të planifikuar për shkurtin e vitit të kaluar. Rusia ende është shumë e kufizuar, si ekonomikisht ashtu edhe ushtarakisht, dhe ka liri të kufizuar të veprimit përtej luftës së saj gjithëpërfshirëse.

Kështu, vendet e Lindjes së Mesme që dikur ishin të impresionuara nga fuqia ruse – ose të paktën nga iluzioni i saj – e kanë parë dështimin e Moskës në nënshtrimin e një shteti dukshëm më pak të fuqishëm, si dhe poshtërimin tjetër të saj në fushën e betejës, si shenjë se ajo është një fuqi në rënie. Në Siri, për shembull, aty ku Putini dikur kishte ndikim të madh pas mbështetjes së tij për diktatorin monstruoz Bashar al-Assad, Rusia po humb me tërheqje – edhe për shkakun se i është dashur të ridislokojë disa forca të saj në Ukrainë.

Grupi “Wagner”, forca kritike që Moskës ia dha kontrollin e tillë mbi atë rajon, kryesisht është sterilizuar pas rebelimit – kundër Kremlinit – të liderit të saj të ndjerë Yevgeny Prigozhin. Rritja e ndikimit kinez ka ndihmuar gjithashtu në minimin e rëndësisë së Moskës, ndërsa marrëdhënia e saj e ngushtë me Iranin është përballur me dyshime në shumë vende arabe. Çfarëdo që Putini mund të dëshirojë, ka mbaruar ideja se Rusia ende mund të formësojë Lindjen e Mesme.

Megjithatë, mund të ndodhë që Putini t’i shohë ngjarjet në Izrael si mundësi të artë për ta tërhequr fitoren nga nofullat e disfatës. Sigurisht, ka prova që në një afat të shkurtër, ai do të përfundojë si neto-përfitues i masakrës së përgjakshme të Hamasit dhe luftës që ka shpërthyer më pas. Vëmendja amerikane është zhvendosur ndjeshëm nga Ukraina në Lindjen e Mesme – mbase e nevojshme në këtë situatë shpërthyese, por diçka që shumëkush beson se do të funksionojë në dobi të Rusisë.

Pos kësaj, Putini do të shijojë një tjetër dilemë të politikës së jashtme të Joe Bidenit, teksa po kalon sezoni i zgjedhjeve. Nëse Amerika kërkon të frenojë Izraelin teksa po lufton për atë që e percepton si luftën e saj më të ashpër që nga themelimi më 1948 (momentalisht jam atje dhe mund ta dëshmoj fuqinë e kësaj ndjesie), kjo thellësisht do të jetë e papëlqyeshme mes disa pjesëtarëve të elektoratit amerikan. Në të njëjtën kohë, mbështetja për Izraelin do të tërhiqte kritika të forta nga të tjerët.

Për kënaqësinë e madhe të Moskës, është rrënuar ëndrra e Bidenit për një marrëveshje midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, si dhe pozicioni tij si paqebërës për përfitime në zgjedhje. Por, e gjithë kjo mund të jetë asgjë nëse, nga Libani dhe Siria, Hezbollahu i intensifikon sulmet e mëtejme kundër Izraelit, duke e tërhequr Perëndimin në një luftë të gjatë, në shumë fronte, duke përfshirë potencialisht një konfrontim të drejtpërdrejtë me Iranin. Atëherë bien të gjitha bastet.

Teksa nuk është aspak e paimagjinueshme që Putini do të parashikojë avantazh në destabilizimin e rajonit, ndoshta duke inkurajuar aleatin e tij dhe furnizuesin e armëve, Iranin, që t’i shtyjë përfaqësuesit e vet në agresion të dhunshëm – Hamasin dhe Xhihadin Islamik në Gazë dhe Hezbollahun në Liban – ajo që mund të tingëllojë si aftësi strategjike, mund të përfundojë si fatkeqësi tjetër gjeopolitike për Rusinë. Nëse Teherani dhe Moska i koordinojnë veprimet e veta, veçanërisht në Siri dhe në Irak, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për ta larguar Uashingtonin nga rajoni, kjo ka efekt të kundër serioz.

Grupet e sulmuesve ajrorë amerikanë, tashti po lëvizin në të gjithë Mesdheun – me Amerikën që ngurron të përcaktohet të angazhohet sërish në rajon, pas largimit nga Lindja e Mesme që nisi nën Obaman e që vazhdoi nën Bidenit. Sido që të jetë, në momentin e tanishëm – teksa Perëndimi mblidhet rreth Izraelit – Rusia është edhe më e parëndësishme se më parë.

Rusia prej kohësh ka pasur ndikim toksik në Lindjen e Mesme, por – si me Ukrainën – ka marrë më shumë se sa ka dashur. Mund të pretendojë gjithçka që dëshiron, që të jetë lojtar kryesor në atë që po shpaloset, por në realitet mund të ketë pak ndikim mbi atë që do të ndodhë. Nëse e sheh këtë krizë si mjet për ta fituar luftën në Ukrainë, atëherë kjo është një ëndërr e çuditshme: e atij lloji që vetëm një diktator i dëshpëruar mund të sjell nëpër mendje. /Telegrafi/