LAJMI I FUNDIT:

Nuk dijm shka duem, pse nuk duem shka dijm

Nuk dijm shka duem, pse nuk duem shka dijm

Nga: At Gjon Shllaku

Jemi mësue me i a lanë Turkut t’Azis tanë fajin e gjendjes së mbrapambetun të jetës s’onë morale, politike ekonomike. Kemi arrsye, por deri diku.

Kallxohet per nji tregtár se kohen e pushtimit të vendit t’onë prej fuqivet austro-hungare po i hika’i ditë në duqan nji oficier austriak, edhe nder tjera, raká fjala mbi gjendjen e Shqypnís. Nisëka me theksue aj oficieri i huej se sa poshte e mbrapa kishte mbetë ky vendi i ynë nder tana pikëpamjet perposë gjitha Shteteve tjera të Ballkanit. «Do t’a dijsh zotní, – i a pritëka tregtari – se âsht Turku qi per katerqind vjetë e má nuk na ká lanë me çue krye e me perparue» e kështu vijueka me i a êndë gjânë e gjatë vuejtjet e kombit t’onë nen zgjedhe e robnís otomane. «Åsht e vertetë gjithëshka thoni Ju – i paseka pergjegjë ndéjëshem aj oficieri i huej-por njat pelhurë marimange qi po shoh njatjè në skaj të murit a thue ndoshta Turku i Azis nuk të ká lânë me e hjekë prej andej?»>

Vendi i ynë âsht mbushë me këso marimangash qi me pelhurë të veta e kan mbulue kryekëput shpirtin e shqyptarit e vijojn gjithnji me ende lirisht në trollin e Shqypnis të zgjueme per me xâně në rret të vetin mizat e pakrye. Kishem me thânë prá se âsht zhduke aj Turku i Azis prej këndej e s’kemi të drejtë me e perdorë må si pretekst per të mblue moskujdesin e plozhtësin t’onë kundrejt këtyne njollëve qi kanë mbetë endè në shpirtin e kombit t’oné. Parolla e zgjimit âsht dhanë me kohë prej së Nalti: të këthehemi kahë Prendimi e të shkundemi prej pluhnit të Lindjes.

Të gjitha Shtetet Ballkanike kanë pësue prej shpirtit të fligtë t’Orientit, por kan dijtë me kohë me u kurue e nuk i janë nenshtrue smundjes prâse të fatalizmit azjatik. Perparimi e zhdrivillimi i ndergjegjes komtare të tyne ká shkue parë me intensitetin e qindresës, të luftës e të kundershtimit qi diftuen këto Shtete, shpesh herë edhè tuj marrë masa krejtë t’egra e barbare, kundra mikrobit qi kerkote me depertue e me paralyzue jeten e karakterin e këtyne kombeve.

Faktori kryesuer, i vetmi të thuesh, qi u dha këtyne Shteteve atë forcë qindrese, atë guxim heroik e atë zgjim ndiesish komtare e patriotike kje Kisha greke. Këjo kje qi u dha nji sherbim të pamasë kombeve të kështêna në Ballkan. Kėjo ká mbajtë e ruejtë hullít a se caqet, mbrenda të cillave kombet ballkanike kanë muejtë me vijue e me rrnue, këjo u ká dhanë perballë pushtuesit turk nji lloj kohezjonit e u ká premtue të ruejshin kujtimin e origjinave të veta e ndiesít kombtare. Gjatë kater shekujsh Kisha orthodokse në Ballkan ka ruejtë patriotizmin e atdhedashtënín e kështênë e nen hieje të sajë âsht gatue në shekullin XVIII lëvisja e madhe prej së cilës kanë dalë n’agimin e shekullit XIX kombet e shkeluna e janë zgjue per pamvarësín e vet! «Kështû në boten kristjane të nenshtrueme Islamit, Kisha luejti nji rrol esencjal: ajo kje arka shêjte, kû u ruejten me fén e kështênë, gjuha e tradisjoni helenik» shkruen mâ i famshmi byzantinolog i kohëve t’ona, Charles Diehl, per kontributin e Kishës greke-orthodokse në formimin e sentimentit e l’unjisimit nasjonal nder Shtete ballkanike.

Por vendi i ynë, fenomen kurjoz, i u shtrue fatit per arrsye qi historjakët e kanë me detyrë me i shqyrtue mâ îmtë e këthelltë e erdh tuj u zbé në plozhtësin e vet sá mâ fort shkoi tui u infiltrue aj virus i prujtun i osmanllizmit. Qindresa e parë erdhi tuj u fikë dalë-kadalë nder çarqe qi u shtruen shpirtnisht mentalitetit të pushtuesit. Shqypja shqyptare hiku, muer malet e bâni çerdhen e vet nder këto bjeshkë vigâne të verit prej kahë orë e ças pritëte diten me u lëshue fulikare mb’anmikun e vet të perjetëshem qi isht’ galucue shì në zêmbren e Atdheut.

Shka kje qi e mbajti gjáll ketë ideal kombsije, me të cillin shqyptari nuk e mbate as nuk e thirrte vetin Turk, Grek, Serb a Italjan por fjeshtë Shqyptár! Na të gjith e dijm kush kje, e dijm, por në nji mënyrë latente, thue se na vjen marre me e dishmue botnisht, ndoshta pse ndiejm në vetveti plasen a gollen e tradisjonit me kohen e kalueme!

Këndej vjen qi kerkojm me rrêjtë vetin tuj projektue ndertime e tuj hartue ideologjí n’ajrí, të bazueme nder perftime imagjinasjonesh poetike e asnjanse, pallavrash qi nuk ngrohin e s’mund të kenë vlerë të njimendtë per me i dhanë nji drejtim perkatës njerit si njeri e shoqnís shtetnore e kombtare. S’ká gjâ mâ të merzitëshme per kêdo se atëherë kur kujtohet kush per veti se ká udhtue per nji kohë të gjatë jashta rruge të drejtë e me kênë i ngushtuem me e njohtë gabimin e vet tuj këthye dalë kah pika e të nisunit. Njimend se âsht vështirë por âsht i vetmi mjet me i pështue rrmores fatale në të cillen mund të biej tuj udhtue në terr: me vû gishtat kah ká vû thêmrat e me ra «xhades». Repulsjoni qi mundet me ndie udhëtari ndaj harmonín per sỹ të tij monotone të rrugës së drejtë, nuk e perligjë kurrsesi sentimentin aventurjer e kryeneçësín e tij me e lëshue kû do rasha mos u vrasha, shteg pá shteg, jashta rrugës së drejtë, tuj u mbshtetë vetem në hamendjet, a, shka âsht mâ zí, n’iluzjonet e pathemel të fantazís së vet.

Historija, qi thohet se âsht mësuesja e jetës, na mëson kjartas se çë drejtim na duehet me marrë, cilli âsht plani i të pertrîmit t’onë si shoqní e si kombë.