Adem Nimani

Kushdo që lexon seriozisht Memorandumin II, e ka të qartë krejt situatën aktuale në Ballkan.  Nga ky doracak të hartuar enkas për kabinetin qeveritar serb, shihet se Serbia nuk ka plan paqeje me vendet fqinje. Qeveritarët e Beogradit, tashmë po operacionalizojnë udhëzimet që dalin nga Memorandumi II i ASSHA-së, i cili ka vijëzuar edhe veprimet konkrete diplomatike.

Edhe dokumenti “non-paper” që duhej të ishte sekret (për destabilizim), doli e u publikua (për habi) në Slloveni. Qëllimi i dokumentit – ndryshimi i kufijve të Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë, krejt për qëllimet e Serbisë. 

Për dikën duket befasi vet lajmi për ekzistimin e Memorandumi II të ASSHA-së, por ai moti është bërë platformë veprimi e kabinetit qeveritar serb.

Saktësisht 25 vjet pas Memorandumit I, që ishte platformë e ASSHA-së për shpërbërjen e RSFJ-së dhe krijimin të Serbisë së Madhe, dhe pas luftërave të përgjakshme pushtuese, në të cilat “Serbia nuk paska marr pjesë”, në qarqet nacionaliste në Beograd është patentuar vazhdimi i tij, Memorandumit II.

Qëllimet strategjike të Memorandumit II janë identike me të parin. Ndryshojnë ndopak vetëm mënyrat  e realizimit të tij, që janë përshtatur kushteve të reja, dhe prej këtij plani është hequr fjala “dhunë” dhe në vend të saj shkruhet -“beteja”, të cilat mund të jenë të armatosura.

Në këtë dokument kanë qasje vetëm rrethi i ngushtë i elitës politike serbe, e cila me hapa praktik, po punon për operacionalizimin  e gjeopolitikës nacionaliste serbe që buron nga doktrina e ASSHA-së. Sipas kësaj platforme, politikanët serbë duhet të punojnë që të gjitha humbjet në luftë, t’i kthejnë në fitore në kohë paqeje.

Diplomatët serbë nuk prajnë se deklaruari se mbrojtja e interesave të popullit serb në rajon “është imperativ politik, historik dhe moral” i Serbisë.

Kjo është normale, thotë edhe kryetari i tashëm i kuvendit të Serbisë I. Daçiq, (i cili, tash 32 vjet, ka mbajtur të gjitha funksionet politike më të larta të Serbisë që nga koha e Millosheviqit) dhe shton se prioritet i qeverisë së Beogradit është pozita e serbëve në vendet e rajonit. Edhe për amatorët e skajshëm politik,  deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve serbë dëshmojë se është zor të besohet që kjo politikë i shërben stabilizimit të rajonit, por përkundrazi, ajo ka qellim destabilizimin e vazhdueshëm me çdo kusht.

Ky dokument u është dorëzuar të gjithë anëtarëve të kabinetit të qeverisë serbe, me vërejtje (“të lexohet pa shpërndarje”).

Dokumenti, pikësynim të parë ka shpëtimin e Serbisë, pas të gjitha disfatave në shtetet ku ka bërë agresion dhe për ta vendosur atë në pozitë të barabartë.

Nga zhvillimet që shihen në terren, Serbia, është duke e realizuar këtë plan pikë për pikë.

Mund edhe të numërohen një nga një udhëzimet e Memorandumit II, të cilat po i realizon Serbia në raportet me Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, duke mos harruar për asnjë çast edhe destabilizimin e Malit të Zi, që shihet hapur çdo ditë.

Ky dokument jep udhëzime si duhet të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet dhe shkatërrimet që ka bërë në shtetet fqinje, duke vazhduar me proceset e montuara gjyqësore kundër ish pjesëtarëve të mbrojtës  se shteteve  fqinje(Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës).

Dihet mirë se Serbia akoma ka fletarrestime të shumta aktive për ish ushtarë të UÇK-së, të cilat moti i ka bërë gati, në bazë të ligjeve të ish Jugosllavisë dhe këtë e arsyeton se ajo është trashëgimtare e ish RSFJ-së. Këtë veprim të Serbisë e kanë parë të gjithë, përveç atyre që nuk duan ta shohin.

Janë përpunuar në detaje veprimet që duhet të ndërmerr Serbia që të mund të largohet nga fokusi i mediave ndërkombëtare dhe rajonale nga proceset gjyqësore që janë zhvilluar e zhvillohen akoma në Hagë kundër ish drejtuesve të shtetit serb.

Përmes Memorandumit II janë përpunuar mënyrat se si Bosnja, Kroacia dhe Kosova të vihen në pozitë për të hequr dorë nga akuzat e paralajmëruara kundër Serbisë, në gjykatat ndërkombëtare për krime lufte dhe gjenocid.

Serbia, po ashtu nuk harron që me aksione vajtuese të barazojë krimet serbe me krimet, që gjoja kanë bërë popujt e vendeve fqinje kundër popullatës serbe.

Po ashtu jepen udhëzime se si të amortizohen të gjitha përpjekjet e vendeve fqinje për të penguar bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE.

Politika e errët  e akademikëve serb merret edhe me mënyrat se si duhet të destabilizohen qeveritë e shteteve fqinje përmes propagandës së pandërprerë të të gjitha mediave serbe dhe në të gjitha kontaktet e zyrtarëve serb ma ata ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, sipas Memorandumit II, duhet të provokohen pakënaqësi të brendshme dhe trazira të vazhdueshme në Bosnje, Kosovë e në Malin e Zi, në mënyrë që të frenohen të gjitha sulmet propaganduese të shteteve fqinje kundër Serbisë.

Serbia pohon deklarativisht, se ajo nuk e vë në dyshim sovranitetin e vendeve fqinje, por Beogradi zyrtar për asnjë moment nuk është parë të ketë hequr dorë nga strategjia e instrumentalizimit të pakicës serbe kudo që jeton në vendet e rajonit.

Po me këtë strategji kishte filluar marrshim vrastar edhe Millosheviqi me parullën e njohur “ ndodhi Populli”, dhe prej kësaj politike, nuk kanë hequr dorë as nxënësit e Millosheviqit, Daçiq e Vuçiq, si dhe shumë eprorë të Millosheviqit që mbajnë pozita të rëndësishme në politikën serbe. Në fokus të kësaj politike janë, kush tjetër, por serbët në Bosnje, bashkësia serbe në Vukovar dhe në Sllavoninë veriore dhe serbët në pjesën veriore të Kosovës.

Autorët e Memorandumit II nuk e harrojnë as Vojvodinën për të penguar ndarjen e saj eventuale, si dhe ndërprerjen e rajonizimit të mëtejshëm të Serbisë.

Një pjesë e Memorandumit II i është kushtuar edhe Sanxhakut dhe gjetjes së mënyrave për tërhequr boshnjakët në organet e larta të qeverisë serbe, duke i ledhatuar dhe privilegjuar, në mënyrë që t’i përçaj ata.

Një kapitull i tërë i Memorandumit II është plot me udhëzime se si të destabilizohet Mali i ZI dhe si duhet të prishet edhe struktura etnike e këtij shteti, duke i nxitur malaziasit për t’u deklaruar sa më shumë me përkatësi serbe.

Në çdo paragraf të Memorandumit II, i thurën lavde ‘Republika Serpskes’.

Memorandumi II udhëzon bashkësitë serbe në vendet e  rajonit që ta ndryshojnë emrin dhe të quhen bashkësi gjithë-serbe, gjë që shihet si synim për krijimin e Serbisë së Madhe.

Se çka bëri qeveria serbe për arrestimin e komandantëve ushtarak të rezistencës së Bosnjës; Jovan Divjak, Ejup Ganiq, Tihomir Purda dhe Vesna Bosanac, si dhe qindra fletarrestime për ushtarët e UÇK-së, e dinë të gjithë. Krejt këto janë produkt i politikës aktuale serbe, që ka për bazë Memorandumin II.

Edhe Gjykata speciale për gjoja krimet e luftës në Kosovë, që shihet sot, është rezultat konkret i veprimtarisë diplomatike serbe, që buron nga Memorandumi II.

Nuk ka edhe një zhvillim aktual në shtetet që kanë dal nga shpërbërja e ish RSFJ-së, ku nuk shihet veprimtaria destabilizuese serbe.

Trazirat e tashme në Mal të Zi janë pasqyrë e veprimtarisë strategjike serbe të vijëzuara me Memorandumin II dhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila po vazhdon me konsekuencë realizimin e porosive të peshkopit Amfillohije Radoviq.

Në Sarajevë, fill pas përfundimit të zgjedhjeve kantonale dhe të bashkive të qyteteve, kryetari i komunës serbe Pale, menjëherë kërkoi nga kryebashkiakja boshnjake e qytetit të Sarajevës që të hiqen të gjitha pllakat përkujtimore që janë vendosë në Sarajevë, aty ku serbët kanë bërë krime monstruoze mbi boshnjakë. (dihet se vetëm në qytetin e Sarajevës serbët kanë vrarë mbi 13 mijë qytetarë në mesin e të cilëve më shumë se 1600 fëmijë)

Në Kosovë dihet mirë se serbët lokal me porosi të Beogradit zyrtar, kanë ngritur shumë pllaka përkujtimore në të cilat shkruan se: “serbët janë vrarë nga “terroristët shqiptar”.

Në anën tjetër pala shqiptare, në asnjë monument a pllakë përkujtimore nuk ka shkruar se shqiptarët janë vrarë nga terroristët serb. Edhe me rastin e çdo përkujtimi në krye të lajmit të mediave e të politikanëve të Kosovës, përmendet vendi i masakrës e jo emri i atyre që kanë kryer krimin.

Në vazhdim të shumë udhëzimeve të Memorandumit II,  jepen porosi të detajuara si për shembull;

  • “Mos thuani kurrë Kosovë! Mos thoni kurrë Bosnje e Hercegovinë, mos thoni Mali i Zi.
  • Asnjë serb të mos merr pjesë në kurrfarë garash sportive apo manifestimesh kulturore me karakter shtetëror të vendeve fqinje.
  • Serbët që jetojnë në Kosovë, Bosnje e Kroaci, t’i shmangen kudo paraqitjes publike në emër të shteteve që i kanë fokusuar akademikët nga “Francuska7”. Të mos përmendet emri boshnjak, por mysliman, dhe ashtu populli boshnjak të trajtohet si një grup fetar e jo kombëtar.
  • Shqiptarëve mos u thoni “albanci” por shiptari”. Të njëjtën porosi të Memorandumit II e nxori në shesh në kuvendin e Serbisë edhe ministri serb, i cili shqiptarët i quajti e vazhdon t’i quaj “shiptari”, dhe madje gjykata përkatëse serbe këtë e vlerësoi normale, gjë që dëshmon deri ku kanë arritur të realizohen udhëzimet e Memorandumit II.

Në kuvendin e UNESKO-s, derisa shqiptarët kishin shkuar me duar në xhepa, Daçiqi me kompani nxorën  kasetat e filmuara të ngjarjeve të marsit të vitit 2004 dhe prej atyre filmimeve doli sikur shqiptarët e paskan nisë luftën dhe i paskan bërë të gjitha krimet kundër serbëve.

As një libër voluminoz nuk mjafton për të rreshtuar fakte për veprimet e diplomacisë serbe kundër Kosovës.

Diplomacia e Kosovës duhet të ketë me veti në çdo udhëtim ndërkombëtar kasetat e të gjitha masakrave serbe në Kosovë dhe të varrezave masive të shqiptarëve që akoma mbahen sekret në Serbi. Ata që përtojnë të bartin valixhet me dokumente, le të largohen nga diplomacia.

Pak ka parë auditori se çka ka bërë propaganda serbe kundër Kosovës në planin ndërkombëtar, kur Serbia ja doli edhe të zbuloj termin “ç‘njohjet”, që nuk ishte dëgjuar deri tash në diplomacinë ndërkombëtare.

Memorandumi II, është dokument fatkeq i cili porositë serbët kudo që jetojnë, të vazhdojnë të ankohen për pabarazinë e tyre në raport me të tjerët, dhe të shkaktojnë probleme të vazhdueshme destabilizuese në shtetet ku jetojnë.

Politika e Kosovës duhet të diktoi me kohë planet serbe, para se ato të shihen duke u realizuar në terren.

Memorandumi II është platformë e politikës serbe në veprim çdo ditë e çdo natë, pa marr parasysh që dikush thotë se ka kaluar koha e Memorandumeve dhe ato nuk kanë peshë ndërkombëtare.

Askush nga ndërkombëtarët, akoma nuk po thotë, se Serbia nuk është Jugosllavi!?