Njohje të reja dhe progres në integrime

Rekapitullimi i ngjarjeve politike në Kosovën e vitit që sapo lamë pas, dhe jo vetëm 2009-ta, por edhe i tërë zhvillimeve të bujshme politike në këtë fund dekade të Kosovës së pasluftës, shikuar në prizmin e zhvillimit të gjithmbarshëm social, politik dhe ekonomik, nuk ka se ku të shpien tjetër pos në konkluzionet e mrekullisë së shekullit të ri që përfundimisht i dhanë një dimension të ri gjeopolitikës globale në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti.
Pavarësia e Kosovës, me gjithë sakrificën e madhe që barti me vete, kulmoi dhe do të mbetet e shënuar në histori si ngjarja më e veçantë kombëtare dhe ndërkombëtare që karakterizoi dhjetë vjetshin e parë të shekullit të ri. Evoluimi politik, qoftë në kuadër të ndërtimit dhe stabilitetit institucional, qoftë në kuptimin e ndërtimit të demokracisë moderne dhe përsosjes së sistemin plural-politik, u vlerësua lart dhe si i suksesshëm.
Në vazhdën e të arriturave të mëdha, mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale të nëntorit që sapo lamë pas shënoi edhe shuarjen përfundimtare të çdo dileme për sa i përket funksionimit kushtetues të institucioneve tona. Shikuar në përgjithësi ishte një fundvit ku dominuan sukseset dhe arritjet e përbashkëta. E megjithatë, qytetarit të Kosovës, 2010-ta do t’i garantojë emocionet e një viti me plotë bujë dhe zhvillime të pritshme mjaft interesante.
Procesi i shumë përfolur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që filloi me vlerësime kontraverse në lidhje me (mos)kompetencën për të trajtuar një ngjarje si kjo e Kosovës pritet të përfundoj brenda këtij viti dhe bashkë me të, të mbyllet edhe faqja e fundit e diskutimeve pro dhe contra vullnetit politik të popullit të Kosovës.
Prejudikimet që sillen kryesisht rreth verdiktit pro pavarësisë dhe qëndrimit neutral, apo edhe mundësisë së interpretimit shumë dimensional të vendimit të gjykatës, nuk e bëjnë aspak të lehtë qasjen tonë institucionale në raport me zhvillimet e pastajme të politikës në vend. Sidoqoftë vendimi final, institucionet e vendit prioritet mbi prioritete duhet dhënë përpjekjeve maksimale për njohje sa më të shumta ndërkombëtare të shtetit të ri, sidomos pas një periudhe aspak të suksesshme në këtë fushë. Kjo realisht do të jetë edhe sfida kryesore për ketë vit të ri.
Të mos qenit anëtare e OKB-së, realisht vë në pikëpyetje edhe vetë qenien tonë shtetërore, qoftë si nocion në të drejtën ndërkombëtare, apo edhe si pengesë permanente në qasjen në aktivitete të ndryshme transnacionale. Epërsia në dëshmitë pro Kosovës në GjND dhe argumentimi shumë i fuqishëm nga shtetet që aktualisht përbëjnë blloqet determinuese të politikave globale, është treguesi më i mirë se në arenën ndërkombëtare 2010-ta do të jetë vit i Kosovës.
Në anën tjetër, kapitalizimi i vullnetit qytetar dhe institucional në raport me proceset integruese në Bashkimin Evropian, me gjithë zhvillimet e fundit tërësisht irracionale që dolën si vendime të kancelarive evropiane për, thënë kushtimisht, izolimin e shqiptarëve në Ballkan, gradualisht duhet shndërruar në projekt të përbashkët dhe nacional pro evropian.
Diskutimet për rregullsinë, apo parregullsinë e vendimeve të njëanshme, plotësisht tendencioze për lënien jashtë procesit të liberalizimit të vizave shqiptarët, shumë shpesh edhe të kundruara nga prizma ekstreme dhe konservatore shqiptare gradualisht duhet shndërruar në përpjekje të përbashkëta për masivizimin e ideve liberale që udhëhiqen nga dëshira për Evropën si bllokun më të fuqishëm politik dhe ekonomik botëror.
Institucionet e Kosovës domosdoshmërish duhet të intensifikojnë përpjekjet për krijimin sa më të shpejtë të një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të detajuar për procesin e integrimit evropian, qoftë duke fuqizuar strukturalisht me kuadër të ri dhe profesional agjencionin aktual për integrime evropiane, qoftë duke e shndërruar të njëjtin në Ministri Integrimesh Evropiane.
Në të njëjtën kohë, përkushtimi më i fuqishëm politik dhe angazhimi më i madh i shoqërisë civile në procesin e stimulimit të pjesëmarrjes qytetare në procesin e reformave, të vendimmarrjes dhe drejtpërsëdrejti në atë të integrimeve, përmes aktiviteteve që ndikojn në edukimin e tyre politik , do të jetë domosdoshmëri e kohës.
Marrë në tërësi, 2010-ta përfundimisht duhet të shpallet vit i fillimit të rrugëtimit tonë të gjatë drejt BE-së. Balancimi i raporteve brenda për brenda bllokut, mes shteteve që ende hezitojnë të njohin pavarësinë e Kosovës dhe atyre që tashmë kanë bërë një gjë të tillë, gradualisht po i kthehet normalitetit dhe potencialisht të njëjtat nuk parashihen të jenë problem në kuptimin e ratifikimit të marrëveshjeve që do qonin, fillimisht në liberalizimin e vizave e pastaj të procedurave të tjera të anëtarësimit.
Përgjithësisht, 2010-ta do jetë vit i njohjeve të reja ndërkombëtare për Kosovën dhe vit i një fillimi të mbarë dhe shumë më konkret drejt procesit të integrimit evropian, duke mos anashkaluar asesi zhvillimin ekonomik si parakusht të stabilitetit dhe mirëqenies sociale, sundimin e ligjit, forcimin e tregut të dijes etj. etj..
Tejkalimi i tekno-burokracive aktuale dhe shthurja e elementit tradicional në mendësinë politike të Kosovës është parakusht për progres të përshpejtuar. Hiperaktiviteti politik i lidershipit aktual domosdo duhet të determinohet nga vullneti konstitucional më shumë se ai individual. “Patria” duhet dominojë “partinë” do thoshin latinët e vjetër.
Kush nga këto do të dominojë 2010-tën?? Do ta shohim.





































