LAJMI I FUNDIT:

Një muaj nga greva, sindikalistët e Qeveria larg marrëveshjes

Një muaj nga greva, sindikalistët e Qeveria larg marrëveshjes

Sot janë bërë një muaj nga fillimi i grevës në sektorin publik, dhe pavarësisht pritjeve që fundjava të sjellë rezultate në përfundimin e saj, Qeveria e sindikatat duken larg arritjes së një marrëveshjeje. Përderisa kryeministri Kurti, u është referuar sindikalistëve si “sindikalistë të PAN-it,” këta të fundit kanë kërkuar seriozitet nga ai, duke thënë se mbesin në pritje të ftesave për takim, por edhe ofertave konkrete.

Sot janë bërë një muaj nga fillimi i grevës në sektorin publik, dhe pavarësisht pritjeve që fundjava të sjellë rezultate në përfundimin e saj, Qeveria e sindikatat duken larg arritjes së një marrëveshjeje. Përderisa kryeministri Kurti, u është referuar sindikalistëve si “sindikalistë të PAN-it”, këta të fundit kanë kërkuar seriozitet nga ai, duke thënë se mbesin në pritje të ftesave për takim, por edhe ofertave konkrete.

Raportet e acaruara mes Qeverisë e sindikatave në vend, kanë vazhduar edhe në ditën kur është bërë një muaj nga fillimi i grevës në sektorin publik.

Palët, dhe këtë ditë nuk kanë dhënë sinjale se pajtimi mes tyre, është afër, pavarësisht pritjeve dhe rritjes së presionit publik, që të paktën të hapen shkollat.

Kryeminstri i vendit Albin Kurti, ka shprehur keqardhjen për humbjen, derisa edhe një herë i ka lidhur sindikatat me subjekte politike, dy prej të cilave janë në opozitë e tjetra jashtë kuvendit.

“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng dhe për përshtypjen time të fuqishme pas gjitha takimeve që kam pasur, bëhet fjalë për një inati ndaj qeverisë një kurs kundër qeverisë së progresit dhe të shpresës . Sindikalistëve të PAN-it iu ka këputur sahati më 5 qershor 2017 pra aty iu ka ngelur sahati sindikalistëve te PAN-IT”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndaj kësaj akuze ka reaguar sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri ku ka thënë se Kurti ka qenë edhe vet përkrahës i grevës në kohën e PAN-it.

“Sa i përket asaj se sindikalistët e PAN-it, janë rreth 600 anëtarë të SBASHK-ut, nëse e ka pas fjalën për anëtarësinë e SBASHK-ut dhe ata të gjithë në kohën kur PAN-i i udhëhequr në kohën e Haradinaj, në atë kohë kanë bërë tri javë grevë. Këta sindikalistë janë të njëjtë, të cilët kanë bërë grevë gjatë qeverisë PAN, kur Kurti ka qenë në opozitë, përkrahës dhe mbështetës i madh i këtyre sindikalistëve”, është shprehur Ymer Ymeri, sekretar i SBAShK-ut.

Edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka treguar se kanë pritur një ftesë nga qeveria për takim gjatë kësaj fundjave, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, derisa ka kërkuar seriozitet nga qeveria, dhe ripërsëritur se presin takime dhe oferta serioze.

Një propozim u bë gjatë ditës nga ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, që rekomandoi që SBAShK-u të pranojë ofertën për shtesat prej 50 eurosh, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat, por që e njëjta, sipas drejtuesve të SBASHK-ut, nuk është pranuar.

Ekspertja e arsimit Bardha Qerizi, ka thënë se vazhdimi i grevës edhe më tej është i papranueshëm.

“Kjo është shumë shqetësuese se nëse vazhdojnë në këtë ritëm të bisedimeve atëherë mund të presim edhe një muaj diskutime propozime dhe nuk ndërpritet greva, greva duhet të ndërpritet sa më shpejtë dhe të vazhdohen diskutimet për shkak se ky është një bllokim i tërësishëm i procesit arsimor”, është shprehur Qerizi.

Greva në sektorin e arsimit, është thyer vetëm në disa shkolla dhe nga mësimdhënës që individualisht kanë vendosur ti mbajnë orët e tyre, por sipas të dhënave të SBAShK-ut, bëhet fjalë për një % të vogël të shkollave në nivel vendi./RTV Dukagjini/