LAJMI I FUNDIT:

Një mot tjetër

Një mot tjetër
Ilustrim

Pushtimi gjakderdhës e barbar rus i Ukrainës është një shkelje e egër e ligjit ndërkombëtar dhe shënon një kthesë në histori: nxiti ndryshime gjeopolitike, që mbështeten me marrëdhënie të reja ekonomike. Ky konflikt midis botës autokratike dhe botës perëndimore, sot, bën thirrje, më shumë se kurrë, për të mbrojtur modelin tonë evropian kundër regjimeve autokratike, që shfaqen në mënyrë dramatike në bombardimet e përditshme të ushtrisë ruse kundër qyteteve të një vendi, i cili nuk e ka kërcënuar kurrë fqinjin e vet, por që ka zgjedhur standardet, që qeverisin demokracitë.

Reagimi i menjëhershëm i Shteteve të Bashkuara koordinoi përgjigjen kundër Putinit me një aleancë që shkon përtej NATO-s dhe BE-së. Nga 193 vende, vetëm Bjellorusia, Eritrea, Koreja e Veriut dhe Siria mbështetën Rusinë në votimin e 2 marsit të Asamblesë së Përgjithshme, që dënoi pushtimin e Rusisë.

Rifuqizimi i aleancës transatlantike

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë Evropës, nxit ndryshime strukturore në sigurinë evropiane, por, mbi të gjitha, ka njësuar dhe ka riforcuar më shumë se kurrë NATO-n. Kësisoj, gjatë gjashtë muajve të fundit, Aleanca ka rritur, pothuajse, dhjetë herë numrin e trupave dhe armatimeve përgjatë kufirit lindor, si: në Estoni, Letoni, Lituani, Poloni, Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari. Në Samitin e Madridit, Finlanda dhe Suedia, pritet t’i bashkohen Aleancës, duke braktisur statusin e tyre të neutralitetit.

Ndihma ushtarake dhe ekonomike ofruar Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara dhe gjithë aleatët është mbresëlënëse: dhjetëra miliardë dollarë (së fundi, SHBA vendosën t’i akordojnë Kievit edhe 33 miliardë të tjerë). Lista e pajisjeve përfshin: avionë luftarakë, sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë, automjete të blinduar, tanke, raketa të tipave të ndryshëm, etj. Pa këtë mbështetje, Ukraina nuk do të ishte kurrë në gjendje të mbronte vendin dhe rrugën e vet.

Kërcënime strategjike

Presidenti Putin dhe zyrtarë të lartë rusë kanë kërcënuar vendet aleate, që mbështesin Ukrainën, me sulme hakmarrëse se “po i hedhin benzinë zjarrit” dhe rreziku i Luftës së Tretë Botërore nuk duhet “nënvlerësuar”. Po kështu, Kremlini kërcënon se do të detyrohej të kundërvepronte nëse Finlanda do të anëtarësohej zyrtarisht në NATO. Duke evokuar rrezikun e Luftës së Tretë Botërore, Rusia kërkon të justifikojë agresionin e vet kundër Ukrainës dhe “një konflikt i tillë”, vërejnë zyrtarët e lartë të Kremlinit, “mbart rrezikun që të kthehet në një luftë bërthamore dhe ky do të jetë një skenar katastrofik për të gjithë”.

CIA po analizon një skenar, ku Kremlini kryen një demonstrim bërthamor në Detin e Zi ose në një zonë pak të populluar për të detyruar perëndimorët të tërhiqen. Por, pos vlerësimeve vetjake për ndërhyrjet perëndimore, Presidenti Putin sigurisht që vlerëson edhe pasojat e veprimeve të veta: A ka ai vërtet interes të zgjerojë luftën? A dëshiron vërtet ai të nisë një përshkallëzim bërthamor kundër Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s?

Sidoqoftë, agjencitë e Inteligjencës mendojnë se Presidenti Putin po përgatitet për një konflikt të zgjatur pasi qëllimet e Rusisë janë ende të mëdha. Luftimet e një apo dy muajve të ardhshëm do të jenë domethënëse. Tendencat aktuale rrisin mundësinë që zoti Putin të vendosë gjendjen e Ligjit të Luftës, të ndërmarrë veprime ushtarake përshkallëzuese, të cilat mund të përfshijnë më shumë kërcënime bërthamore. Në këtë situatë, një zgjidhje diplomatike nuk duket të jetë e afërt.

Bashkimi Evropian

Lufta në Ukrainë, me të cilën përballet sot Evropa, është, pa dyshim, një nga ngjarjet më të rëndësishmet në historinë e vet, e cila ka rritur lidhjen e BE-së dhe ka nxitur debatin mbi mënyrën më të mirë për t’u njësuar përballë agresionit rus në mbrojtje të vlerave themelore evropiane: demokracisë dhe lirisë. Sot, jemi në një epokë ndryshimesh të madha, kur, për herë të parë, Bashkimi Evropian blen armë për Ukrainën, për një vend të tretë, që është në luftë dhe me të drejtë zyrtarët e lartë të Brukselit po e festojnë si “lindjen e Evropës gjeopolitike”.

Sidoqoftë, sfida e vërtetë është forcimi i NATO-s nëpërmjet “ndarjes më të mirë të barrës”, d.m.th., midis kontributeve evropiane dhe amerikane. Gjermania, ekonomia e katërt më e madhe në botë, dhe Franca, si i vetmi vend në BE, që zotëron shkurajimin bërthamor, do të jenë motori kryesor i kësaj Evrope, që duhet t’i përshtatet botës moderne dhe kërcënimeve të reja.

Rrëzimi i tabuve

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ndryshoi gjithçka, lindi një Gjermani të gjashtë, e cila do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes tej angazhimeve të NATO-s me synim që ta kthejë ushtrinë e saj “në një nga forcat e armatosura më të afta, më të fuqishme dhe më të pajisura në kontinent me kapacitete të gjeneratave të reja”, në mbrojtje të vlerave liberale demokratike. Pos armatosjes, Berlini është i vendosur të thellojë bashkëpunimin euroatlantik (kryesisht me Shtetet e Bashkuara dhe Francën), duke krijuar forume të reja për shkëmbimin strategjik, investime më të mëdha në marrëdhëniet politiko-shoqërore dhe sektorët e biznesit, si dhe në institucionet ndërkombëtare që i lidhin.

Vendet kufitare

Shumë studiues dhe politologë perëndimorë mendojnë se shtetet e Evropës Lindore dhe Qendrore (Poloni, Hungari, Sllovaki, Republika Çeke, Estoni, Lituani dhe Letoni), të cilat ishin të parat që dërguan armatime të rënda në Ukrainë dhe që mbështetën fort BE-në të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, do të mbeten zëri kryesor në politikën e jashtme dhe të sigurisë të BEsë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm në lidhje me Rusinë, por edhe në çështjet strukturore, si: në marrëdhëniet midis NATO-s dhe Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe të Mbrojtjes të BE-së apo në politikat e zgjerimit të BE-së.

Këto vende mbështesin një prani më të madhe dhe të vazhdueshme të SHBAsë në Evropë dhe një BE më të zgjeruar. Megjithatë, ka ende probleme. Më i madhi është mosmarrëveshja e gjatë e Polonisë me Komisionin Evropian mbi atë që Brukseli e karakterizon si përpjekjet e partisë në pushtet ‘Ligj dhe Drejtësi’ për të nënshtruar institucionet e pavarura shtetërore: gjyqësorin dhe transmetuesin publik polak TVP. Varshava ka bërë një sërë lëshimesh dhe të dy palët po i afrohen një farë armëpushimi, megjithatë, Polonia ende paguan 1 milion euro në ditë gjobë BE-së edhe pse po mirëmban rreth 3 milionë refugjatë ukrainas dhe pret të tjerë dita-ditës.

Nuk ishte rastësi që ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Lipavsky, kujtoi “tradhtinë” kundër Çekosllovakisë në marrëveshjen e Munihut të vitit 1938, ku Britania dhe Franca i dhanë Hitlerit një pjesë të rëndësishme strategjike të vendit (sudetet). Me këtë evokim, ai ftoi Gjermaninë dhe fuqitë e tjera të mëdha evropiane të jenë gjithmonë e më shumë mbështetëse kundër luftës pushtuese të Rusisë.

Dilema e zgjerimit

Presidenti i Francës, Macron, që kryeson BE-në deri më 30 qershor, dëshiron të afirmojë forcën e demokracisë liberale dhe pluraliste përballë një regjimi revizionist, që derdh gjak në tokën ukrainase. Por, në këtë qasje, a do të zgjerohet BE-ja me vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë dhe Serbi) dhe tri ish-republikat sovjetike (Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi)? Vendet e Evropës Qendrore e mbështesin fort, ndërsa Parisi, Berlini, Haga dhe kryeqytete të tjera pohojnë se BE-ja nuk mund të zgjerohet pafundësisht pa reformuar dhe thelluar më parë proceset e tij vendimmarrëse.

Një tjetër opsion është ai i ish-Kryeministrit italian, Enrico Letta, që propozon krijimin e një “Konfederate Evropiane”, që bashkon të njëzet e shtatë anëtarët e BE-së dhe vendet që aspirojnë, me Ukrainën në krye, si mënyrë për ta lënë BE-në të marrë veten nga problemet, që ka shkaktuar lufta përpara se të zgjerohet.

Gjeopolitika e energjisë

Rusia është e pasur me lëndë djegëse fosile (naftë dhe gaz), të cilat i përdor edhe si mjet gjeopolitik për të ndikuar në vendet konsumatore, siç qe rasti me Poloninë dhe Bullgarinë. Pushtimi rus prishi paqen globale shumë kohë më përpara se ekonomitë e zhvilluara të kishin mënjanuar varësinë nga karburantet fosile dhe po i përball ato me një urgjencë për të kaluar nga lëndët djegëse fosile në burime të rinovueshme dhe, në të njëjtën kohë, të diversifikojnë furnizuesit, duke synuar një politikë energjetike më të qëndrueshme nga pikëpamja gjeopolitike.

Në këtë perspektivë, BE planifikon të mënjanojë gradualisht importet fosile ruse. Sot, BE siguron 40% të gazit natyror dhe rreth një të katërtën e naftës së papërpunuar nga Rusia. Disa vende si: Republika Çeke, Letonia dhe Bullgaria, varen plotësisht nga gazi rus, ndërsa Hungaria importon 95% të tij dhe Sllovakia 85%. Kjo situatë kërcënon zbatimin e embargos, prandaj unanimiteti i BE-së është i domosdoshëm. Për të miratuar serinë e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë, BE bëri një përjashtim: lejoi Hungarinë dhe Sllovakinë të vazhdojnë blerjet e tyre nga Rusia deri në fund të vitit 2023, pasi këto dy vende janë pa dalje në det dhe varen plotësisht nga furnizimet përmes gazsjellësit Druzhba.

Zbatimi i blerjeve në grup do të ishte një lehtësim, por është kompleks dhe politika e përbashkët e energjisë e BE-së është ende embrionale. Sidoqoftë, 7 vendet më të industralizuara (G7, ku bëjnë pjesë edhe Franca, Gjermania dhe Italia) zotohen të ndalojnë ose të mënjanojnë gradualisht naftën ruse.

Kina

Sfida më e madhe strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe BE-në mbetet përballja me Kinën, e cila është një partner i rëndësishëm ekonomik, një rival sistematik dhe një bashkëbisedues i domosdoshëm për menaxhimin e rreziqeve globale, si: ndryshimet klimatike dhe pandemitë. Një qasje e përbashkët amerikane dhe evropiane ndaj Kinës, tani, duket më e mundshme se përpara pandemisë. Kësisoj, Kina nuk ka gjasa të rrezikojë konfrontimin duke shkelur hapur sanksionet aleate ose duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për Moskën.

Miqësia e Pekinit me Rusinë ka kufij të qartë politikë dhe ekonomikë. Sidoqoftë, roli i ardhshëm i Kinës në këtë botë mbetet i pasigurt. Neutraliteti i Kinës, nëse jo pozicioni i paqartë pro-rus për luftën në Ukrainë, i ka dhënë Uashingtonit një shans për të rimarrë lidershipin e tij global. Por, a do të rritet Evropa gjeopolitike? Zhvillimet e ardhshme do ta tregojnë.