LAJMI I FUNDIT:

Një mollë “shqiptare” në Vishegrad

Një mollë “shqiptare” në Vishegrad
Ilustrim

Nga: Ndue Dedaj

Historia e luftës nuk është gjithnjë ajo që kemi mësuar, ka dhe “njollat” e krimet e veta, për të cilat kurrë nuk është folur për gjysmë shekulli monizëm. Aq më tepër historitë njerëzore lartësohen përherë mbi ato politike. Kështu edhe me fqinjët sllavë, sado konflikteve të natyrave të ndryshme përgjatë historisë. Ato zhvillohen përherë larg butaforisë politike, kamerave dhe fjalimeve. Ne pikasëm njërën sosh, por jo të vetmen dhe menduam ta sillnim për lexuesin. Gjashtë vite më parë, bashkë me doktor Prengë Pepën, trokitëm në portën e shtëpisë së njohur “Fusha” në fshatin Fang, vetëm pak kilometra nga Rubiku. Na priti i zoti i shtëpisë, Zef Fusha, mbi të 75-at, i cili kishte hequr jo pak mundim për të sjellë nga Vishegradi në atdhe eshtrat e ungjit të tij, Frrokut, që aty nga fillimi 1945-s, teksa ishte partizan, ishte ekzekutuar nga të vetët dhe jo nga armiku …


Si kishte ndodhur? Frrok Zef Fusha, lindur më 1913, bir i një familje të dëgjuar nacionaliste të Bulgrit, çka e tregon dhe fakti se ishte ndër të paktët djem që kryen arsimin e mesëm në konviktin “Malet tona” në Shkodër dhe më pas studion në një akademi ushtarake në Itali, me gjasë në Modena, ku diplomohet për xhenio. Asokohe, aty ishin diplomuar dhe ushtarakë të tjerë të njohur, si Mark Arapi nga Selita, Mark Doçi nga Kthella, Shahin Toçi nga Mati etj. Rrethanat e sollën që Frroku dhe disa oficerë të tjerë nacionalistë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, të përfshiheshin në Brigadën VII Sulmuese, në krah të partizanëve e në “besë” të tyre dhe luftojnë në Mal të Zi e në Bosnjë për çlirimin e Jugosllavisë, pasi qe krijuar një front i përbashkët i ballkanasve kundër pushtuesit nazist, që lidhet dhe me “çlirimin” e Kosovës. Pikërisht kur Frroku ndodhej në Vishegrad, papritur nis drama e tij, që në mënyrë të pabesueshme përfundon në tragjedi. Asgjë nuk dihet saktësisht se si janë zhvilluar ngjarjet atë dimër të ftohtë boshnjak, por Frroku bashkë me disa partizanë të tjerë akuzohet nga komanda se ishin duke u përgatitur për të dezertuar nga lufta?! Një mister që nuk u zbulua kurrë. Ai dhe një partizan tjetër burgosen në bodrumin e një shtëpie, torturohen dhe pushkatohen, si tradhtarë të luftës.

Këto kishin qenë fjalët që kishin ardhur gojë më gojë, pa e ditur se dikush, për më tepër vetë personazh në ato ngjarje, kishte mbajtur shënim, si për të thënë se asgjë nuk mbetet pafundësisht në terr.

Ish-partizani Nikollë Melyshi, babai i “Heroit të Popullit”, Pal Melyshi, më pas i arratisur në Amerikë, në kujtimet e tij shkruar matanë Atlantikut, publikuar në gazetën “Panorama”, në dosierin e datës 31 gusht 2022, përgatitur nga gazetari Afrim Imaj, ndriçon atë ngjarje të pazakontë, për të cilën historia e luftës ka heshtur. Ai shkruan se në fillim të nëntorit 1944, brigadat partizane morën në dorë Nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës dhe aty u vendos shtabi me të gjithë eprorët e lartë, si Tuk Jakova, Tahir Kadareja, Gjin Marku etj. Unë me disa shokë që kishim qenë oficerë e nuk kishim pasur mundësi me u largue nga Shqipëria, ishim të arratisun nëpër male. Shtabi partizan në Shënpal na bëri thirrje zyrtare me u paraqit dhe me u dorëzue në besën e Gjin Pjetër Marka Tomës, që ishte komandant i Brigadës së Shtatë. Kështu, ne oficerët që morëm lajmin prej tij: unë, Mark Doçi, Dod Bardhoku, Frrok Fusha dhe Ndue Preng Kol Gjonmarkaj vendosëm me u dorëzue vetëm e vetëm në të mirë të fëmijëve dhe pasi nuk kishim mundësi tjetër për me shpëtue. Fakti që do merrni pjesë dhe ju në luftën kundër okupatorit, do jetë një siguri për jetën tuej dhe mos me ua godit familjet, na u tha. Gjatë luftimeve, disa burra nga Bregu i Matës, që ishin mobilizue si ne për me sulmue gjermanin nëpër Mal të Zi, u arratisën. Në këtë kohë lindi dyshimi dhe për pjesën tonë. Pas kësaj ngjarje na arrestuen edhe ne: mue, Dod Bardhokun dhe Frrok Fushën. Na procedoi komisari i Brigadës Qazim Kapisyzi dhe na lidhën me duer pas shpine duke na mbajt të izoluem në kushte shumë të vështira. Gjermanët ishin tue u tërhekë me automjete dhe praparojet e tyne, kishin ba një qendër të fortë në Vishegrad të Bosnjës. Mue dhe Dod Bardhokun na liruen, kurse afër një qyteti Frrok Fushën dhe një djalë të ri nga Kthella e Epër, mbasi i kalbën në dru, i pushkatuen …

Vritëe aq papritur, me gjakftohtësi, pa asnjë brerje ndërgjegje dy partizanë nga shefat e tyre komunistë. Të bën përshtypje fakti se Frroku dhe djali nga Kthella ishin partizanë dhe jo të burgosur politikë, por që çuditërisht trajtohen si të tillë. Nuk i shpëtoi dot as gjeneral Gjin Marku, që ishte mirditas si ata dhe që i kishte pas marrë vetë në Luftë. Thuhet se letra e tij shkoi një orë mbasi kishte ndodhur ekzekutimi, por kjo mbetet thjeshtë një legjendë, përderisa nuk është gjendur në arkiva – kështu është thënë dhe në raste të tjera ekzekutimesh në luftë, kinse komanda e lartë nuk kishte qenë dakord, por korrieri ishte vonuar etj. E vërteta është se “gjyqi partizan” të bënte gjëmën pa ligj e pa gjyq, siç pati bërë më parë me Ramize Gjebrenë në Vlorë.

Ashtu si në rastet e vdekjes së të burgosurve politikë në kampe, familja e Frrokut nuk u lajmërua për vrasjen e tij larg trojeve shqiptare, kurse partizanit tjetër i humbi dhen emri. Por, kishte qenë e thënë që eshtrat e dy të ekzekutuarve të mos humbitnin në dhé të huaj prej fisnikërisë së një burri serb, që i kishte varrosur dy shqiptarët në tokën e tij, pranë një molle. Fshati e dinte se aty ishte “Varri i shqiptarëve”. Njerëzit kudo sillen me nderim kundrejt varreve, ndaj dhe në atë fshat malor të Vishegradit ajo mollë ashtfortë do të mbetej monumenti i vetëm i kujtesës së tyre.

“Aty, te molla, ka qenë varri i dy shqiptarëve”, do të thoshin ata kurdo që dikush do të mund të shkonte atje për t’i marrë eshtrat. I zoti i shtëpisë kishte mbjellë dhe një mollë tjetër aty, që po të thahej e vjetra, të vazhdonte me qenë dëshmitare e reja. Dhe, vetëm falë saj, mbas 70 vitesh, fjalë pas fjale, duke pyetur malazezë e serbë, u arrit tek ai varr i dyfishtë shqiptarësh, që në rrethana të tjera do të ishin heronj …

Vishegradi tashmë ishte braktisur. Ajo shtëpia e mollës “shqiptare” ishte mbyllur dhe i zoti i saj kishte vdekur, por rronte i biri, që banonte në Sarajevë. Ai u tha atyre që kishin shkuar për të marrë eshtrat: “Ma ka lënë amanet baba me u kallxue se varri asht në fund të arës, në hijen e mollës …” Ishte tekefundit një amanet ballkanas që nuk e treste dheu. Për të ishte ngritur nga varri dhe i vdekuri. “Kemi shkuar dy herë në Vishegrad”, rrëfen Zefi, “herën e parë takuam një plak 92-vjeçar dhe e pyetëm. Nuk do të harroj sidomos një ditë shtatori 2014, kur teksa binte shi, ne ngjiteshim në bjeshkët e Vishegradit. Mali ishte plot me mollë. Shihje gjithandej shtëpi alpine të braktisura. Na pritën shumë mirë. Zakonet i kishin krejt si tonat, të vinin përpara kafen me gotën e rakisë. E kishin mirëmbajtur varrin. Ndihemi në borxh ndaj asaj familje serbe”. Kohët ecin, por mbeten shenjat e saj. Sidomos varret. “Varri i shqiptarëve” atje të kujton “Varret e serbëve” këndej, me një dallim se ata kishin ardhur këtu si pushtues, kurse shqiptarët kishin marshuar andej si çlirimtarë. Partizani i pafat Frrok Fusha në vendlindje kishte lënë Urën e Zogut dhe atje kishte gjetur Urën mbi Drin, që do të hynte si një epope perandorake në romanin e Ivo Andriqit. Njëra me harqet nga sipër, tjetra nga poshtë. Njëra disa shekullore, tjetra më e re se ai në moshë. Njëra me emër pashai, tjetra me emër mbreti. Kujtimi i tij endej mes këtyre dy urave, Shqipërisë dhe Bosnjës, Bulgrit dhe Vishegradit. Dikur kishte qenë zakon që luftëtarëve të rënë në luftërat e largëta, që nuk ishte e mundur t’u silleshin eshtrat, u ngrinin në atdhe ato që quheshin varre kushtimi. Kështu kishte ndodhur me mirditasit që gjatë luftës ruso-turke të vitit 1877-1878 u vranë në brigjet e Danubit. Kurse Frroku partizan nuk do ta kishte as një të tillë në vendlindje, deri në vitin 2015, kur kjo gjë u mundësua nga familjarët e tij.

Familja Fusha ishte në zë në Bulgër e në krejt Mirditën. Zefi, i ati i Frrokut, vjen përmes një fotografie të bërë në Shkodër në vitin 1922 nga Kel Marubi. Burrë i përmendur për urti, që dinte jo vetëm zakonet e vendit, historitë e bajrakut, po dhe ditët e ujitjes të secilës familje të fshatit, si një “kalendar” i gjallë. Ai kishte dhe dy djem të tjerë përveç Frrokut. Nikolla kishte studiuar për drejtësi në Torino dhe në vitin 1944 ishte në mbarim të studimeve, kurse Lleshi kujdesej për mbarëvajtjen e shtëpisë. Gjon Fusha, ungji i Frrokut, ishte ushtarak, kishte mësuar në Shkodër dhe dinte gjermanisht, për çka austriakët dikur e kishin marrë si përkthyes. Familja e njohur nacionaliste Fusha, që kishte miqësi dhe me Gjomarkajt, u godit politikisht pas luftës, për bashkëpunim me “Komitetin e Maleve”, një organizatë antikomuniste etj. Në shtator 1944, në kullën e Fushajve ishte mbajtur kuvendi i krerëve më të shquar nacionalistë të vendit, çka mund të ketë ndikuar tërthorazi dhe në fatin e Frrokut. Prandaj, shtëpia ishte bastisur sa herë pas luftës nga Sigurimi i Shtetit, duke u hedhur poshtë dokumentet, reliktet familjare etj. Aty ishin dhe fletoret e Frrokut plot me shënime që kur ishte student në Itali.

Frroku dhe bashkëshortja e tij, Mara, bijë e familjes Pepa në Paraspuer, nuk kishin pasur fëmijë. Pas vrasjes së të shoqit, ajo kishte qëndruar me të kunetërit dhe të nipin Zefin, që trashëgonte emrin e gjyshit. Njëherë, kur ata të forcave të ndjekjes donin me i vu zjarrin shtëpisë, ajo kishte thirrur: “Jo! Nuk do ta digjni. Kam pasë burrin partizan, ai është vrarë! Shtëpia është imja …” Me këtë fjalë ata ishin stepur dhe shtëpia kishte shpëtuar pa iu vënë flaka. Nënë Mara kishte për zemër, sidomos fëmijët, njerëzit e shtëpisë atje ku kishte lindur e thirrnin si burrneshat “Babë Ruta”. Ajo kishte marrëdhënie të afërta me gratë e fisit, pasi burrat e tyre më së shumti ishin në burg e internim. Edhe ajo vetë kishte qenë tre muaj në internim. Ishte një lloji solidariteti i grave të familjeve të goditura politikisht. Asaj i kishin futur në burg politik të vëllanë Ndue Pepën, që kishte shërbyer gjatë luftës në administratën shtetërore në Gjilan. Gra të tilla sojnike, që iu binin për hise ngjarje të rënda familjare, ktheheshin në shtyllë e shtëpisë krahas burrave. Ato e ndienin veten dyfish përgjegjëse para shtëpisë atërore dhe asaj ku ishin martuar. Nënë Mara (Ruta) ishte dhe një vajtimore e përmendur e asaj ane. Por, siç thonë ata që e kanë njohur, nuk do të mjaftonte një roman për jetëshkrimin e saj.

Këngëtarja Mrikë Trumshi, që u bë e njohur në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës më 1978, me këngën e Mic Sokolit, shkruan: “E mbaj mend Nënë Marën në moshë të thyer në fshatin tim të lindjes, Fang. Ka qenë një zonjë grua, model zgjuarsie e fisnikërie ndër gratë e fshatit. Binte në sy menjëherë ngaqë ishte tejet e veçantë, si ndonjë aktore filmi me tipare burrneshe në portret. Mosha ia kishte përkulur paksa shtatin e saj të lartë, por jo karakterin persekutimi i familjes”. “Si Mara e Frrok Zefit n’vaktit”, ishte një shprehje vlerësuese e granisë …