LAJMI I FUNDIT:

Një mësues gjerman në udhëtim rreth botës

Një mësues gjerman në udhëtim rreth botës

Jan Kamman donte të njihte vendet nga vinin nga vinin nxënësit e tij. Ai piu makiato në Kosovë, takoi fëmijë afganë në Iran, nxënësit e shkollave në Ganë, mësoi të gatuajë në Korenë e Jugut dhe vizitoi Nikaraguan.

Çfarë tipi është Jan Kamman? Ai qesh dhe mendohet pak.


“Jam shumë i hapur ndaj botës. Çdo ditë kam kënaqësi të njoh njerëz të rinj dhe të kuptoj rrethanat e jetës së tyre”, hesht pak dhe shton. “Dhe të bëj nganjëherë shaka”.

Prej gjashtë vjetësh, 39-vjeçari është mësues i anglishtes dhe i gjeografisë në gjimnazin “Hamm” të Hamburgut. Shkolla Evropa me leitmotivi “Të bashkuar në diversitet”, ka nxënëse dhe nxënës nga e gjithë bota. Ata dhe prindërit e tyre vijnë për arsye nga më të ndryshmet në Gjermani: si refugjatë apo studentë, për arsye se prindërit punojnë në Gjermani apo sepse fëmijët ndjekin një shkollë të njohur baleti në Hamburg.

Kur ata vijnë në shkollën e tij, qëndrojnë para sportelit të pritjes.

“As fëmijët dhe as prindërit nuk dinë asnjë fjalë gjermanisht. Ti mendon se stresin e së përditshmes gjermane është fare e thjeshtë të integrohesh, por në vende të tjera shumë gjëra janë ndryshe”.

Për t’i kuptuar më mirë nxënësit e tij, ai mori një pushim të gjatë dhe udhëtoi për një vit në vendet e tyre në Evropë, Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë. Për këtë udhëtim ai ka shkruar një libër: “Një klasë gjermane: 30 nxënës, 22 kombësi, 14 vende dhe një mësues në udhëtim rreth botës”.

Bullgarët, jo të vlerësuar jashtë vendit

“Një nxënëse u kthye me disa ditë vonesë nga pushimet te familja e saj në Bullgari”, tregon Jan Kammann. Ajo tregoi se shkaku kishte qenë udhëtimi i gjatë me autobus. Në pushimet e verës mësuesi e mori vetë autobusin dhe u habit sa zgjaste udhëtimi. Autobusi mblidhte në të gjithë Gjermaninë njerëz nga Bullgaria, që punonin si ndihmës në të korrat, si punonjës ndërtimi, apo si kujdestarë për të moshuarit. “Njerëz që shumë gjermanë as që i vënë re”, thotë Kammann. “Ndoshta ekonomia jonë pa to nuk do të funksiononte”.

Pas një udhëtimi dyditor me ndalesa për shkak të avarive, ai mbërriti plotësisht i rraskapitur në kryeqytetin Sofje – nxënëses së tij prej këtu i duhej të udhëtonte edhe rreth 500 kilometra të tjerë. Prej një mësueseje bullgare, Kammann mësoi se pjesa më e madhe e të diplomuarve largohen nga Bullgaria dhe se atyre nuk u jepet vlerësimi i duhur jashtë.

Kosova, vend që ia vlen ta vizitosh

Për luftën në Kosovë, korrupsionin dhe krizat, Jan Kammann kishte dëgjuar mjaft. “Tipike”, thotë ai, “dëgjon vetëm për temat e shëmtuara”. I çuditur, në një udhërrëfyes lexoi gjëra krejt të tjera rreth vendit të vogël. Që Kosova ka për shembull makiaton më të mirë në botë, pijen e nxehtë që shumica e lidhin vetëm me Italinë. Atij i ka shijuar shumë. “Kosova është edhe një destinacion turistik, që ia vlen ta vizitosh, me terrene skijimi dhe mikpritje të madhe”, thotë ai dhe dëshiron të shkojë përsëri atje.

Rusia dhe pajtimi që duhet thelluar

Jan Kammann i motivon vazhdimisht nxënësit e tij ndërkombëtarë për “newsflash”, ku ata të raportojnë prej mediave të vendeve të tyre. Nxënësja e tij ruse referoi për një “intervenim fashist” të Evropës në Ukrainë. Ata folën në klasë rreth fashizmit dhe viktimave të shumta ruse të sulmeve gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë vizitës në Rusi ai vizitoi një ekspozitë gjermano-ruse, ku mund të dëgjoje materiale të incizuara të të dyja palëve në luftë. Ai dëgjoi se si ushtarët gjermanë përshkruanin në mënyrë cinike vrasjet e civilëve. “Pajtimi funksionon vetëm bashkërisht”, thotë Jan Kammann, “dhe se duhet punuar për të”. Kur gjyshja e tij kishte përdorur fjalët “po vjen rusi”, as ajo nuk kishte menduar diçka të mirë. Një temë e vështirë – por ai ka patur edhe takime shumë të mira në Rusi, ndër të tjera gjatë një udhëtimi të gjatë me trenin transsiberik.

Irani, Afganistan dhe pyetja e Shabanas

“A ka ndonjë mundësi që unë të vi në Gjermani”? Këtë pyetje ia kishte bërë Jan Kammannit 19-vjeçarja Shabana. Ajo ishte nxënëse te “Seekers of Knowledge”, një iniciativë e iranianëve. Ata mësojnë në periferi të Teheranit fëmijë të refugjatëve afganë, të cilët nuk kanë vend në shkollat shtetërore. Shabana donte të bëhej mjeke, por për këtë nuk shihte ndonjë shans në Iran. Kammanni nuk mund t’i jepte asaj ndonjë rrugëdalje. Mungesa e perspektivës së saj, fat që e kanë edhe shumë të rinj të tjerë, e mundon atë deri sot. “Udhëtimi i tij”, thotë gjermani, “është një fat i madh. Unë ndjehem shumë, shumë i privilegjuar, që kam lindur këtu2.

Në bisedat e shumta me iranianët ai kuptoi se sa eurocentrik është këndvështrimi i tij. Një sociolog iranian, që e njeh gjithashtu mirë historinë e kulturës evropiane, e kishte pyetur lidhur me intelektualët e mëdhenj iranianë. Kammann nuk kishte ditur t’i përgjigjej. Ai vendosi të mësojë më shumë për kulturat e tjera dhe t’i integrojë njohuritë në mësimdhënien e tij.

Koreja e Jugut: Kini kujdes kur qeshni

Nxënësja e Kammannit nga Koreja e Jugut kishte shkuar në Hamburg për të ndjekur një shkollë baleti. Mësuesit të saj i ra në sy se ajo nuk ndjehej mirë, kur nxënësit e tjerë diskutonin me zë të lartë për konfliktet në klasë. Gjatë qëndrimit të tij në Korenë e Jugut, ai e kuptoi se me sa kujdes silleshin atje me njëri-tjetrin. Në një restorant ai kishte bërë shaka dhe kishte qeshur me zë të lartë. Më vonë i ishte bërë e qartë se kjo mund të ishte kuptuar si kritikë ndaj kamerierit apo ndaj ushqimit, dhe i kishte ardhur keq. Sepse, ai në fakt e kishte shijuar shumë larminë e kuzhinës koreane, madje kishte përfunduar edhe një kurs gatimi. Ushqimi stimulon komunikimin, prandaj ai i pyet shpesh nxënësit lidhur me specialitetet e vendeve të tyre.

Nikaragua: Atje Ricardo rekomandon Schwarzwaldin

Ricardo thotë se iu duk gjë e mrekullueshme që mësuesi i tij Jan Kammann donte të vizitonte Nikaraguan. Pas klasës së dhjetë dhe ai donte shkonte në qytetin e tij të lindjes Managua dhe t’ia tregonte vendin mësuesit. Prindërit e tij kishin ardhur me të në Hamburg që të bënin doktoratën në shkencat bujqësore. Por, Ricardo u sëmur me leukemi.

Mësuesi i gjeografisë e vizitoi atë në spital me një hartë. Për të është e rëndësishme që të mësojë nga nxënësit. Ricardo i rekomandoi atij që të eksploronte peizazhet vullkanike dhe të vizitonte të vetmin vend të Nikaraguas, “ku rosat notojnë në një liqen – si në Gjermani” .Ai është “Selva Negra”, pylli i zi. Emigrantë nga Schwarzwaldi gjerman shkuan atje në shekullin e XIX-të dhe kultivuan kafenë në pyllin tropikal. Në luftën e Dytë Botërore u burgosën.

“Nuk bën t’i fusësh të gjithë njerëzit në një kallëp”, thotë Jan Kammann. Këtë rrezik ai e sheh edhe në Gjermani, për shembull, kur mbi të rinjtë arabë apo myslimanë bie në mënyrë paushalle dyshimi për terrorizëm.

Ricardo e njeh ndërkohë edhe Schwarzwaldin gjerman, ku ka pushuar dhe e ka marrë vetën pas sëmundjes. Tani ai është duke përfunduar maturën. “Ai ka konstatuar se shumë gjermanë dinë shumë pak për Amerikën Latine e Jan Kammann është një rast i veçantë”, thotë Ricardo.

Në Ganë Jeffrey rekomandon studimin e historisë koloniale

Nxënësi i Jan Kammann, Jeffrey, ka lindur në kryeqytetin e Ganës, Akra. Ai ishte shumë i lumtur që mësuesi shkoi në vendlindjen e tij dhe të shokëve të tij të klasës.

“Nuk njoh ndonjë mësues tjetër, që bën diçka të tillë”, thotë 19-vjeçari.

Ai mërzitet që Afrika përgjithësohet aq shpesh në Gjermani. Çdo vend është i ndryshëm, në mësim në shkollë dëgjon shumë pak për këtë. Ndërkohë, Jeffrey ka marrë maturën. Ai përkthen në gjuhën ganeze Tui në entin për të huajt. Në vjeshtë do të fillojë të studiojë për të drejtë ndërkombëtare. Ai ka dëshirë të bëhet edhe pilot. E ka pasur ëndërr që nga fëmijëria, por ende nuk i ka të hollat për të

Jeffrey i kishte rekomanduar Jan Kammannit që në Ganë të interesohej për tregtinë e skllevërve. Në Cape Coast ai vizitoi një muze dhe mësoi se si fuqitë koloniale sekuestruan arin, drunjtë tropikalë dhe në fund robëruan njerëzit nga Afrika Perëndimore dhe i shitën si skllevër. Kjo mizori ishte tronditëse për Jan Kammannin. Si pozitive ai përjetoi bisedat me Mary Dennisin. Ajo angazhohet për fëmijët që mungojnë në shkollë. Kammann eci shumë kilometra me të, nga shtëpia në shtëpi. “Slow, slow, small, small”, është motoja e saj. Mësuesi gjerman dëshiron të marrë shembull nga ky durim.

Iniciativa unike

“Interesante dhe që të zgjeron”, e cilëson Stefan Behlau iniciativën e Jan Kammannit, por që kërkon shumë kohë dhe për shkak të mungesës së mësuesve gati e pamundur për t’u realizuar nga të tjerët. Behlau drejton shoqatën Arsim dhe Edukim në landin Nordrhein-Westfalen (NRW). 35 për qind e të gjithë nxënëseve dhe nxënësve në NRW kanë histori emigrimi.

“Sikur të kishim personel dhe kohë të mjaftueshme, integrimi në shkollë prej kohësh nuk do të ishte më një çështje politike”, thotë Behlau. Ai shpreson që të ketë më shumë kurse gjuhe dhe thekson “se rëndësi ka ballafaqimi me situatën ku ndodhen nxënëset dhe nxënësit, jo vetëm në çështjen e integrimit kulturor dhe gjuhësor, por edhe të atij social.”

Udhëtime tjerat, nuk përjashtohen

Qëkur ka bërë këtë udhëtim, Jan Kammann i respekton edhe më fort nxënësit – për rezultatet në mësimin e gjermanishtes dhe për përshtatjen në një kulturë të re. Ai ndjehet shumë i privilegjuar me pasaportën e tij gjermane. Me vete nga udhëtimi ka sjellë shumë pyetje për varfërinë dhe pasurinë, tregtinë dhe drejtësinë, të cilat përfshihen në mësimdhënie.

Rrugëtimi më i rëndësishëm vitin e kaluar ka qenë për të ai në sallën e lindjes: Prej më shumë se tre muajsh për atë dhe shoqen e tij gjithçka sillet rreth vajzës së tyre të vogël. Por, ai e imagjinon që të shkojë përsëri në vendet e origjinës të nxënësve të tij

“Kam udhërrëfyes turistikë nga 45 vende – material për shumë udhëtime në botë”, thotë ai. /DW/