LAJMI I FUNDIT:

Një mendim ndryshe në Serbi, për pajtimin me shqiptarët

Një mendim ndryshe në Serbi, për pajtimin me shqiptarët
Ilustrim

Numri i serbëve që shkruajnë për pajtim me shqiptarët është ende i vogël. Rreshtit të atyre që shkruajnë e flasin hapur për normalizimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare, në periudhën e pasluftës, me shkrime serioze u është bashkuar Damjan Pavlica. Ai dëshmon se ka lexuar shumë dhe se njeh edhe psikologjinë e popujve të Ballkanit, e posaçërisht të popullin serb, por edhe atij shqiptar.

Ky autor – i lindur në Beograd më 1979, që ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike dhe atë të Filozofisë – si pak të tjerë vë në spikamë mungesën e çfarëdo ideje për të dalë nga kriza në të cilën është zhytur rajoni ku jetojmë. Në shkrimet e botuara në portalin “Peščanik”, ai shkruan për gjërat që vëren përditë në Ballkan.


Pavlica ka botuar edhe shkrimin “Leximi politik i ‘Kurorës së Maleve’” të Njegoshit. Në këtë shkrim kritik vë në dukje anën shoviniste të përmbajtjes së kësaj vepre, e cila në Serbi e në Mal të ZI llogaritet akoma si kryevepër serbe/malazeze. Mirëpo, në të vërtetë, vepra është program që thërret për vrasjen pa gjykim të të gjithë popujve të besimit islam – si shqiptarët e boshnjakët. Të rrallë janë ata studiues që kanë thënë se “Kurora e Maleve” e Njegoshit ka shërbyer si bazë për hartimin e programeve serbe për shfarosjen e shqiptarëve. Por, Pavlica nuk lë pa përmendur çdo plan tjetër makabër serb dhe autorët e tyre. Ai godet edhe Ivo Andriqin që sipas porosisë së qeverisë së Nikola Pashiqit kishte bërë planin e hollësishëm për ndarjen e tokave shqiptare dhe zhdukjen e shqiptarëve.

Sa i përket bombardimit të Serbisë nga NATO, shprehet se Aleanca veriatlantike kishte arsye të forta për ta filluar e mbaruar fushatën e bombardimeve, pasi kishte parë gjithçka që kishte ndodhur në ish-territorin e Jugosllavisë dhe se kush ishte fajtor.

Në një tjetër shënim me titullin “Kosova është Kosovë”, ai i paraqet pikëpamjet e tij se si mund të gjendet rruga e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve. Në këtë opinion lexuesi mund të shoh e lexojë ide të moçme për zgjidhjen e çështjes serbo-shqiptare dhe vlerësimin ta nxjerr vet. Nga shënimi i Pavlicës mund të shihet se Unioni Evropian i mungon çfarëdo ideje për zgjidhjen e problemit, jo vetëm të serbëve e të shqiptarëve, por edhe të gjitha vendeve që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Është e qartë se prekja e kufijve të tashëm është tepër rrezikshme dhe për këtë as që mund të behet fjalë pasi kjo Evropë që shohim sot ka provuar dhe e ka fort të njohur këtë problem. Duke pasur parasysh këtë fakt, autori jep idetë të cilat mund t’i lexoni në vazhdim.

Palvlica shprehet se thënia “Kosova është Serbi” ka marrë dhenë gjatë njëqind vjetëve të fundit, prandaj duhet të rishqyrtohet. Në vend të përsëritjes së sloganit “Kosova na qenka zemër, kokë, djep e të ngjashme serbe, është më mirë që Serbia ta rishqyrtojë në hollësi politikën që ka zbatuar ndaj popullatës shqiptare të Kosovës gjatë gjithë shekullit XX. Historia serbe pohon se Kosovën e kemi çliruar në luftërat ballkanike. Serbia me vetëdije hesht faktin se Kosovën ia ka bashkangjitur vetes kundër vullnetit të popullatës shumicë. Pushteti serb me dekada Kosovën e ka mbajtur nën dhunë. Serbia, popullatën me shumicë shqiptare të Kosovës kurrë nuk e ka pranuar si të saj. Serbia me krime të mëdha erdhi në Kosovë në vitin 1912 dhe me krime edhe më të mëdha mbi shqiptarë u largua në vitin 1999. Shteti serb tregoi qartë se nuk mund ta mbante Kosovën pa dhunë. Kështu, përmes dhunës, serbët dëmtuan të tjerët dhe vetveten. Mungesa e drejtësisë bëhet shtrat i butë për të rritur vrasës të fuqishëm të cilët sjelljet e mësuara në Kosovë pastaj i zbatojnë anembanë Serbisë. Të gjithë jemi dëshmitarë të veprimeve kriminale të të ashtuquajturve ‘patriotë’ e legjionarë me xhipa të blinduar, të cilët nga pasuria e vjedhur në Kosovë fituan prestigj në shoqërinë tonë serbe”.

“Po këta kriminel serb të këtij lloji, pastaj u bën aq të fuqishëm sa vranë edhe vet kryeministrin serb Zoran Xhinxhiq. Rezultat i kësaj politike të ndytë është fakti se Kosova tash e një kohë të gjatë nuk i përket Serbisë dhe nuk është brenda kësaj bashkësie. Për shumicën nga serbët kjo nuk është zgjidhje e dëshiruar. Me vite kemi jetuar nën të njëjtën çati. Shihet se edhe shqiptarët edhe serbët e duan Kosovën. Këto treva dhe këta dy popuj moti jetojnë këtu pranë njeri-tjetrit. Mirëpo, në marrëdhëniet serbo-shqiptare po ballafaqohemi me dy pengesa, në pamje të parë të patejkalueshme:

– Shqiptarët e Kosovës nuk duan pushtetin serb.

– Serbia nuk do ta pranojë Kosovën e pavarur.

Kuptohet se serbët nuk dëshirojnë të jetojnë të ndarë nga djepi i tyre kulturor, por kjo nuk është mënyrë e duhur që të arrihet duke ua imponuar të tjerëve pushtetin.

Kuptohet, shqiptarët nuk dëshirojnë të jetojnë nën pushtetin serb, pasi asnjë popull nuk dëshiron të jetojë nën pushtetin e popullit tjetër. Ne duhet të mësojmë të jetojmë pranë njëri tjetrit e jo njeri mbi tjetrin”, thekson Pavlica. “Deri tash kemi pasur luftë. Kemi pasur hakmarrje shekullore mes nesh. Kemi parë se e tërë kjo nuk solli sukses. Prandaj, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë.

Me rastin e bisedimeve për bashkëjetesë duhet respektuar realitetin. Situata është e tillë çfarë e shohim. Serbia nuk e kontrollon më Kosovën dhe as që duhet menduar ta kontrollojë kundër vullnetit të popullatës së Kosovës”.

Damjan Pavlica në vazhdim thotë se duhet t’i shqyrtojmë disa modele të bashkëjetesës dhe shtron këto ide të prekura shumë më herët, por që nuk janë përfillur asnjëherë nga politikanët:

– Unioni serbo-shqiptar i cili do të përfshinte Serbinë, Shqipërinë dhe Kosovën: Serbia do të fitonte dalje në Detin Adriatik përmes Durrësit dhe ashtu do të realizonte atë që nuk ka arritur qeveria e Nikolla Pashiqit me pushtim.

– Përtëritja e Jugosllavisë e cila do ta kishte Kosovën si republikë të shtatë, gjë që përputhët me kërkesat e studentëve të Kosovës në vitin 1981.

– Përtëritja e Jugosllavisë me Shqipërinë si njërën nga republikat dhe kështu do të mund të realizohej Plani i Titos pas Luftës së Dytë Botërore, i diktuar me rezolutën e Informbyrosë

– Ky shtet do të mund të quhej Iliria apo Ballkani Perëndimor.

Federata e Ballkanit do të përfshinte të gjitha vendet e Ballkanit dhe kështu do të realizoheshin synimet e shumë mendimtarëve të mëhershëm gjatë dy shekujve të kaluar.

Bashkimi i Ballkanit mund të realizohet në kuadër të Unionit Evropian, por edhe pavarësisht nga fati i mëtutjeshëm i UE-së, thekson Pavlica dhe vazhdon:

“Shteti serb nuk është as i pari as i fundit që ballafaqohet me humbje territori.

Gjatë gjithë historisë së njerëzimit kufijtë e shteteve kanë ndryshuar. Nga mençuria jonë varet se me çfarë marrëdhëniesh do të ndërtojmë bashkëjetesën. Mund të zgjedhim në mes respektit reciprok, njëfarë ‘Komonvelti’ apo konfliktin e përhershëm. Serbia mund ta njoh Republikën e Kosovës dhe të vazhdojë të jetojë me këtë. Apo të vazhdojë ta injorojë realitetin siç po bën sot.

Serbia, pretendimet ndaj Kosovës edhe më tutje i arsyeton me argumente historike legale.

Nëse ekziston diçka që mund të quhet e drejtë historike, atëherë Kosova i takon Turqisë, pasi Kosova në përbërje të Turqisë ka kaluar kohë më së shumti”, thotë Pavlica.

“Çdo theksim i ligjshmërisë është i pa bazë, kur dihet mirë se Serbia ia mori autonominë legale Kosovës në vitin 1989. Të vetmen të drejt që kanë serbët e Kosovës është të jetojnë aty ku janë. Ndërsa Serbia edhe këtë të drejtë ua ka mohuar shqiptarëve. Deri tash, dashuria e serbëve ndaj Kosovës është ushqyer vazhdimisht vetëm me urrejtje ndaj shqiptarëve. Për dallim nga shumë serbët tjerë, unë Kosovën vërtetë e dua, ashtu siç është, me të gjithë njerëzit”, shprehet Damjan Pavlica. “Serbia duhet ta shohë e konsiderojë Kosovën si një fëmijë të saj dhe t’i ofrojë përkrahje të gjithanshme pa asnjë kusht. Sido që të zhvillohen gjerat, është më mirë që Beogradi e Prishtina të jenë miq. Nuk mund të punojmë kundër Kosovës e të tregojmë përralla sa e duam atë”.