LAJMI I FUNDIT:

Një libër më shumë se libër

Se suksesi i njerëzve përcaktohet nga përmasa e veprave të tyre, kjo është më se e qartë. Por, të “harrohen” qëllimisht nga institucionet shtetërore ata njerëz që lanë gjurmë dhe vepra të pashlyeshme për kombin e atdheun të, kjo ndodh vetëm në Kosovë.

Populli shqiptar i Kosovës përjetoi tmerre dhe krime që nuk mban mend historia e njerëzimit nga Serbia. Përveç dëmeve materiale e territoriale që janë të parikuperueshme, dëmet në njerëz janë më se trishtuese. Nuk e di se sa shqiptarë do të ishim, sikur mos të kishim një fqinje armike si Serbia. Por, jam i sigurt se Ballkani do të ishte shumë më stabil dhe nuk do të merrte epitetin “fuçi baroti”.


Këtyre ditëve rastisa ta kem në dorë librin më të ri të një autori të spikatur, i cili më pat lënë mbresa të thella qysh në moshë fëmijërore. Zëri i tij kumbues dhe i fuqishëm, zëdhënës i luftës çlirimtare në Kosovë, pat lënë mbresa dhe gjurmë të pashlyeshme në zemrat dhe mendjet e çdo shqiptari. Nuk harrohen edhe sot fjalët e tij kumbuese, të përcjella me një tonalitet burrëror tipik shqiptar, e që më vonë do të bëheshin edhe vargje kënge të këngëtarit të famshëm shqiptar, Ilir Shaqiri: “Ju flet Kosova e lirë, ju flet Kosova e lirë…”. Zëri i kujt tjetër përpos zëri i z. Nysret Pllana.

Ky njeri që shkëlqen mu atëherë kur na shfaqen dromca terri, në momentin kur ndihemi të dëshpëruar, rrezaton vlera dhe virtyte që s`ia gjen shoqin. Veprat e tij si gazetar dhe zëdhënës i luftës së lavdishme të UÇK-së së Kosovës, do të mbesin në altarin dhe mozaikun e veprave të po atyre njerëzve që stolisën lirinë e Kosovës përmes kontributit të tyre sublim dhe të paparë.

Kësisoj, që të jem më i qartë, Pllana përpos kontributit të tij patriotik para dhe gjatë luftës, do ta vazhdojë veprimtarinë jo si disa çlirimtar dezertor, i korruptuar dhe imazh-prishës, por si një njeri akademik me vlera të larta shkencore dhe kombëtare. Libri i tij mbi intervenimin e NATO-s në Kosovë, që e pat edhe si disertacion shkencor, është një libër udhërrëfyes për studentët dhe intelektualët shqiptarë.

Por, karvanit të veprave të mëdha dhe të suksesshme të tij, që do të lënë mbresa të papërshkruara, do të më ishte libri i tij i fundit , i përkthyer në shumë gjuhë ndërkombëtare, e që flet për krimet monstruoze serbe në Kosovë, përmes imazheve dhe fakteve të paluhatshme. Ky libër i cili ia vlen të lexohet dhe të blihet nga secili, flet më shumë se kurrë për atë se kush ishte viktima e kush agresori.

Por, bisedimet e fundit me Serbinë, duket se kanë filluar dalëngadalë të na paraqesin neve, shqiptarëve, si agresorë! Krejt kësaj, kur t’ia shtojmë edhe mobilitetin e paparë serb, shumë efikas – përmes propagandës së gënjeshtrës që pi ujë tek ta e gjetiu, ngase kanë botuar mbi 100 vepra për gjoja krimet shqiptare ndaj serbëve – me të vërtetë krijohet përshtypje dyshuese tek ai që nuk e njeh mirë këtë rajon problematik dhe mësuesen e jetës të quajtur histori.

Në mesin e fatkeqësisë sonë, që nuk lexojmë libra të tillë, që nuk sponsorizojmë vepra të tilla – e që e keqja të jetë edhe më e madhe, mungon përkrahja institucionale për botim dhe shpërndarje të këtij lloj libri nëpër të gjitha institucionet relevante të botës – ia shtojmë heshtjen dhe omertën e turpshme kësaj vepre. Kjo është vrastare për ne.

Libri i Pllanës, që është ngjarje në ngjarje (fr. myse en abymë, angl .story in ëithin a story) mbi terrorin serb në Kosovë, është më shumë se libër, është më shumë se fakt apolonik, është më shumë se argument dioniziak, është më shumë se vepër, ngase krijon katërçipërisht përshtypjen se lexuesi është vet pjesëmarrës (lexo: viktimë e agresorit serb). Duke lexuar këtë libër dhe duke shikuar fotografitë rrëqethëse, kupton se dosjet e krimit makabër ndaj shqiptarëve – prodhim lucid i një misogjenie serbe, një filetizmi (urrejtje racore serbe ndaj shqiptarëve) dhe mendjeje nosferatu (shpirti që merr formë vetëm kur thith gjak njeriu) – i bërtasin nekrofilisë dhe vdekjes të çdo gjëje shqiptare. Ato krime flasin dhe lëshojnë kumte vrastare, por nuk i dëgjojnë ata që janë të shurdhër dhe në amnezion (harresë historike dhe politike), e nuk i shohin po ata që janë të verbër. Lexuesi me këtë vepër bindet se shqiptarët të harruar nga vetvetja dhe nga të tjerët, edhe pse më në fund formuan shtetin e tyre të Kosovës, lypset që të punojnë edhe më tepër. Me krijimin e shtetit të Kosovës nuk përfundoi historia.

Asgjë nuk është fitorja e luftës, çka është fitorja në paqe. E kjo fitore realizohet atëherë kur veprat dhe librat – sikurse kjo e fundit e Nysret Pllanës mbi krimet serbe ndaj shqiptarëve – ndihmohen dhe sponsorizohen nga institucionet shtetërore, në mënyrë që të shpërndahet realiteti dhe zëri i arsyes gjithkund. Ky zë që lypset të menaxhohet dhe të disperzohet si zë i vetëm i realitetit, sot vuan nga pamundësia për të kumbuar. E ky zë do të kumbojë, atëherë kur ne si shqiptarë do të vetëdijesohemi se “shtëpia pa libra është si trupi pa shpirt, si dhoma pa dritare”.

Por, shtëpitë shqiptare dhe institucionet shqiptare pa librin më të ri të Pllanës – njeriut patriot dhe atdhedashës, nacionalist pozitiv dhe racional, punëtor i përkushtuar dhe i vyeshëm – janë të destinuara të vërtetojnë thënien e Konfuçies se “s`ka rëndësi sa je i zënë me punë, me rëndësi është të lexosh libër e të gjesh kohë për ta bërë këtë, përndryshe dorëzoju paditurisë dhe injorancës që vetë e ke zgjedhur”.

T’i dorëzohesh injorancës duke mos lexuar dhe duke mos promovuar dhe shpërndarë një libër të tillë, është më shumë se injorancë, më shumë se padituri dhe mungesë sensi e nacionaliteti,. Kjo është vetëvrasje shqiptare individuale e kolektive, harresë dhe shlyerje e tërë asaj që na ka ndodh si komb, si dhe ndihmesë për agresorin dhe shtetin kriminel serb, që ende sot e kësaj dite nuk na ka kërkuar falje për krimet e bëra, nuk na ka dorëzuar kufomat e të zhdukurve të pagjetur, nuk ka paguar dëmet kolaterale ndaj nesh, si dhe përgjithësisht nuk ka bërë katarsisin e nevojshëm e të domosdoshëm.