Një javë para zgjedhjeve, Murati e Rama vazhdojnë debatin për buxhetin e Prishtinës - shkëmbejnë akuza

Tash kur kanë mbetur një javë nga zgjedhjet lokale, debati rreth menaxhimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës është nxehur, mes ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati dhe kryetarit aktual të kryeqytetit, Përparim Rama.
I gjithë ky debat nisi pasi Murati deklaroi sot se Komuna që drejtohet nga Rama ka kthyer qindra miliona euro të pashpenzuara gjatë viteve të fundit, duke e cilësuar si një dështim të kryetarit aktual në menaxhimin e fondeve publike.
Menjëherë pas deklaratës së Muratit, ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Ministria e Financave është ajo që po i bllokon mjetet e Komunës dhe po rrezikon shërbimet jetike për qytetarët.
Por këtu nuk u përmbyll debati, një tjetër reagim erdhi nga ministry në detyrë, Hekuran Murati.
Në një postim, Murati tha se komuna ka autonomi financiare të garantuar me ligj, por në këtë rast, është vetë Komuna e Prishtinës ajo që nuk ka përmbushur obligimet ligjore.
“Komuna e Prishtinës ka dështuar ta kalojë buxhetin në asamble sipas afatit ligjor – sepse Përparimi e Urani u idhnun dhe vendosën me i lanë në lloç votuesit. Prandaj komuna s’mund ta shfrytëzojë të plotë buxhetin në vitin 2025. Këtë e përcakton ligji, askush tjetër”, shkroi Murati.
Ai po ashtu theksoi se për vitet paraprake (2022–2024), buxheti ka qenë i miratuar dhe në dispozicion, por komuna nuk ka arritur ta shpenzojë në tërësi.
“Përparimit i kanë tepru mbi 50 milionë euro në vit të pashpenzuara”, shtoi ai, duke i cilësuar kritikat e Ramës si përpjekje për të justifikuar dështime të brendshme.
“Si gjithnjë, përsëri qenka mundu që dështimet e veta me i faturu si bllokadë, por nuk i shitet kjo tek qytetari”, ka shkruar Murati. /Telegrafi/




















































