LAJMI I FUNDIT:

Një burrë i vërtetë mban mirë gruan dhe dashnoren

Një burrë i vërtetë mban mirë gruan dhe dashnoren

Gerina Mullaj

Në do të njohësh karakterin e një burri të pushtetshëm, shiko si trajton familjen, por nëse do të njohësh personalitetin e tij shiko si trajton dashnoren. Një burrë i vërtetë i mban të dyja mirë dhe,. ç’është e vërteta, atij s’ka sesi të mos i shkojë mendja se për të qënë në lartësinë që i kërkon intelekti i pushtetit, të mos i duhet një grua e mirë. Por, nga ana tjetër ai nuk është aq budalla sa të mos mendojë se më mirë sesa një grua e mirë janë dy gra të mira, për të cilat ndërgjegjja e tij ia lejon vetes të shkelë pak besnikërinë kur vjen puna për të mbajtur lartë vlerat publike.

Se siç ka thënë edhe Groucho Marx, “pas një burri të suksesshëm fshihet gjithmonë një grua e më pas bashkëshortja”. Prandaj, i duhen dy gra. Kështu, një burri që vesh kostum bojëhiri, plus kravatë ylberi, plus këmishë me iniciale personale e ca këpucë me lidhëse të gjata, i duhen domosdo dy gra, por jo dy vjehrra. Kjo duhet të jetë arsyeja përse legalizojnë vetëm njërën prej tyre, për të shpëtuar nga vjehrrat.

Njëra duhet për ta veshur, e tjetra për ta zhveshur, ngaqë secili proces kërkon kohën e mundin e vet dhe një grua e vetme nuk ia del dot. Një grua e vetme lodhet. Prandaj, duhen dy gra. Më pas vjen lavdia, por një burrë që ka vëmendjen e gjithë botës s’ka se si të mos i lejojë vetes luksin e të paturit vëmendjen e dy grave që t’i thonë herë pas here se ai e meriton vërtetë këtë lavdi. Kjo i bën mirë egos së pushtetarit. Mund t’ia thoshte edhe njëra, por ai nuk është aq kaqol sa të besojë se një mendje është më mirë se dy mendje. Një mendje e vetme nuk mund ta bind një njeri që ka potenciale të mëdha. Prandaj, pushtetarit i duhen dy mendje.

Kjo s’do të thotë se nuk e do gruan. Ai e do shumë atë, më shumë se gjithë gratë e tjera që rreshton si ushtare në llogoren e tij të pushtetit, por mendjet e vogla e paragjykojnë ngaqë nuk mund të kuptojnë ose, më keq akoma, nuk duan. Ata nuk shohin madhështinë që fshihet prapa kostumit të këtij njeriu të madh, se të mbash disa gra duhet të jesh i madh në shumë kuptime. Do të thotë të dish të balancosh disa pushtete njëherësh. Ata nuk e kuptojnë se ai nuk tradhton për ego, as për instinkt, as për adrenalinë, por tradhton në emër të dashurisë që ka për bashkëshorten, se një burrë me integritet s’ka se si të mos i thotë mendjes që për të mbajtur gjallë dashurinë për gruan duhet ta tradhtojë nganjëherë atë. Për këtë duhet të flijohet ajo tjetra, por për gjërat e mëdha gjithmonë dikush flijohet.

Abrahami desh flijoi të birin për Perëndinë, se edhe dashuria për gruan një lloj perëndie është, e shenjtë, e pacenueshme, sovrane. Për një njeri publik është e vështirë ta mbajë të shëndetshme këtë dashuri nisur edhe nga tensionet e shumta që duhet të mbajë mbi supe përmes vëmendjes publike, të cilën hiqet se nuk e do. Por, në të vërtetë, netëve para gjumit shtrydh trurin të krijojë mënyra të reja për të patur sa më shumë vëmendje. Prandaj, i duhet gruaja tjetër. Për t’u shkarkuar a ngarkuar, s’e mbaj mend mirë cila nga këto është. Por, ja që atij i duhen siç i duhen dy makina, dy vila, dy telefona, dy kostume të shtrenjta, dy personalitete, dy fytyra. Nganjëherë ndjehet dyfish tradhtar, ngaqë ngatërrohet për një çast dhe nuk e ka të qartë kë po tradhton, gruan apo atë tjetrën që zgjedh të bëhet kurban si dashi ditën e Bajramit.

Ndonjëherë ndjehet keq, ngaqë i duket se po i tradhton të dyja. Por, kjo trazirë i kalon shpejt, vetëm sa ja fshik vetëdijen sa i kujton se ndoshta tradhtia ka pamjen e një korbi të z. Por, jo, befas ky imazh zhduket; ai i shkund mendimet kobzeza dhe tradhtia merr trajtën e një zane gushëbardhë që shpëton familjen nga drama e monotonisë.

Sekreti i një martese të lumtur nuk është më sekret, është tradhtia. Prandaj, i duhen dy gra: njëra i përkëdhel egon, tjetra i përkëdhel pasionin e fshehur. Njëra i rrit fëmijët, tjetra i rrit dëshirat. Njëra i jep ushqim, ndërsa tjetra e ndihmon të heqë kaloritë e ushqimit. Njëra e urtëson dhe e pjek, ndërsa tjetra i kthen rininë dhe marrëzinë. Njëra e mençuron, tjetra e le pa mend…

Derisa në fund, siç është rritur e ushqyer mirë ajo tjetra, martirja, flijimi në emër të dashurisë, dashi i Bajramit, e therin se kështu e do zakoni i tradhtisë. Se, ajo tjetra është prostitutë, ndërsa gruaja murgeshë; tjetra është mishi, gruaja shpirti – tjetra është ëndrra, gruaja realiteti. Prandaj, tjetra duhet të theret se disa duhet të bien që të lartësohen disa të tjerë. /tema/

Në trend

Më shumë
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Momenti kur roja i sigurisë së Dua Lipës e ndalon fansen që të fotografohet me të - ia gjuan telefonin në tokë

Momenti kur roja i sigurisë së Dua Lipës e ndalon fansen që të fotografohet me të - ia gjuan telefonin në tokë

Magazina
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Drejtësi
Kalo në kategori