LAJMI I FUNDIT:

NJË BOTË E PËRSOSUR

NJË BOTË E PËRSOSUR
Xhevdet Bajraj (foto: A. Sh, 2021)

Poezi nga: Xhevdet Bajraj

Një shqiponjë
fluturon në qiell në mënyrë të përsosur
dhe klith
Një lepur vrapon në mënyrë të përsosur
fshihet në një ferrë të vogël
të përsosur
dhe hesht
Një ujk
në mënyrë të përsosur e ndjek një qengj
e kafshon në fyt
dhe qengji i cili në mënyrë të përsosur
është qengj
vdes
Një gomar në mënyrë të përsosur
ec
dhe pëllet si gomar
vetëm njeriu që vete pas tij
duket i humbur në rrugën e vet
dhe fatkeqësisht
jo vetëm që duket
por ai është i humbur
në mënyrë të përsosur

“Me zemër në qese najloni”, Sh. B. “Armagedoni”, 2021