LAJMI I FUNDIT:

Nitaj dhe drejtori i BERZH-it flasin për avancim të projekteve në fushën e energjisë dhe ndërmarrjeve publike

Nitaj dhe drejtori i BERZH-it flasin për avancim të projekteve në fushën e energjisë dhe ndërmarrjeve publike

Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj ka takuar Drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Kosovë, Neil Taylor.

Reklama

“Temë diskutimi ishte bashkëpunimi në mes të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe BERZH-it në sektorin e ekonomisë, me theks të veçantë në atë të energjisë dhe të ndërmarrjeve publike. Nga fusha e energjisë është diskutuar procesi i rishikimit të Strategjisë së Energjisë, e po ashtu u bisedua për marrëveshjen e kredisë nga BERZH për infrastrukturën vitale që u dedikohet ndërmarrjeve publike”, thuhet në njoftimin për media.

Nitaj konfirmoi gatishmërinë për bashkërendim të projekteve dhe interesave afatgjatë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik si një nga faktorët kryesorë në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Ju jemi mirënjohës për mbështetjen e deritanishme që keni dhënë në avancimin e projekteve në fushën e energjisë, si dhe në atë të ndërmarrjeve publike, si sektorë të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Andaj shpresoj që ky bashkëpunim i mirëqenë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Nitaj.

Ndërkaq drejtori i BERZH-it për Kosovë, Neil Taylor potencoi se është i gatshëm të çojë përpara projektet që janë në proces si dhe të ndihmojë në projekte të reja që ndërlidhen me fushën e energjisë dhe sektorë të tjerë që mbulon Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, dhe konsideroj se bashkëpunimi i ndërsjellë është garancë për realizim të projekteve të përbashkëta.
Ndryshe, Marrëveshja e Kredisë nga BERZH-i në vlerë prej 30 milionë euro ndahet në dy transhe.

Transhi i parë kap vlerën 10 milionë, ku përfshihet rimbursimi i shpenzimeve që veç ka përfunduar në kuadër të Masës 4 të pakos emergjente, ndërsa vlera prej 20 milionë euro përfshihet në transhin 2, që duhet të shkojë si huazim nga Qeveria e Kosovës për ndërmarrjet publike./Telegrafi/