Nisi nata e parë e festivalit “Zurich Shqip Up Comedy” - e qeshura e komedisë mbushi Cyrihun

Me energji, të qeshura dhe atmosferë festive, sonte u hap zyrtarisht ediconi i katërt i “Zurich Shqip Up Comedy Festival”, një nga ngjarjet më të mëdha të humorit shqiptar në diasporë.
Në sallën “Stadthalle Dietikon” të Cyrihut, mijëra artdashës shqiptarë u mblodhën për të ndjekur natën e parë të festivalit, e cila solli në skenë disa prej emrave më të dashur të skenës së humorit shqiptar.
Publiku u argëtua me performancat e Luan Comedy, Ernest Zymberi, Besart Sllamniku, Edona Reshitaj dhe Med Sadrija, të cilët sollën tema të përditshme, batuta të mprehta dhe situata komike që përfshinë nga afër publikun.
Pas performancave, nata vazhdoi me një after party plot muzikë dhe këngë nga TNT Band, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë shqiptare në zemër të Zvicrës.
Organizimi dhe moderimi i festivalit u bë nga Adriana Matoshi dhe Ylber Bardhi, të cilët me karizmën e tyre mbajtën gjallë ritmin dhe komunikimin me publikun gjatë gjithë mbrëmjes.
Sipas organizatorëve, interesi për këtë edicion ka qenë i jashtëzakonshëm, ndërsa nesër (1 nëntor) pritet nata e dytë, ku do të performojnë T-Romino, Shpend Ahmeti, Valina Muçolli dhe Lulzim Bucolli, me një program të ri humori që pritet të ndezë sërish atmosferën.
Festivali “Zurich Shqip Up Comedy” është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme që bashkon humorin, kulturën dhe diasporën shqiptare në një event të vetëm, duke dëshmuar edhe një herë se humori shqiptar nuk njeh kufij. /Telegrafi/



























































