Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar për nisjen e një procesi për legalizimin e objekteve të kategorisë II, të ndërtuara deri në vitin 2018, duke e cilësuar këtë si hap drejt vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në komunë.

Sipas tij, tashmë është krijuar komisioni për shqyrtimin e aplikimeve për ndërtimet pa leje, me synim garantimin e një procesi të drejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët dhe bizneset.


“Si Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës, jam i përkushtuar që të vendosim rend, ligjshmëri dhe siguri për çdo qytetar dhe biznes në komunën tonë”, ka deklaruar Prebreza.

Ai ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët dhe bizneset të aplikojnë për legalizimin e objekteve të tyre, duke theksuar përfitimet që sjell ky proces.

“Ftoj të gjithë qytetarët dhe bizneset që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi, duke pajisur objektet e tyre me certifikata të përdorimit”, është shprehur ai.

Sipas Prebrezës, ky proces do të ndikojë në rritjen e sigurisë juridike dhe vlerës së pronave, si dhe do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë juridike, rritjes së vlerës së pronës dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik”, ka theksuar ai.

Në fund, kryetari i komunës ka nënvizuar se ky veprim është pjesë e zotimeve të tij ndaj qytetarëve.

“Ky proces është një nga zotimet e mia të dhëna para qytetarëve dhe sot po e konkretizojmë me veprime të qarta”, ka përfunduar Prebreza. /Telegrafi/