Aktorja e njohur Nicole Kidman është shtruar në spital pasi, pavarësisht se vuante nga një grip i rëndë, ka xhiruar një skenë fizike shumë të vështirë të mundjes profesionale për serialin Margo’s Got Money Troubles.

Kolegu i saj, Nick Offerman, ka treguar se Kidman ishte dukshëm e sëmurë, por e përfundoi xhirimin me profesionalizëm, për t’u dërguar më pas menjëherë në spital.


Offerman i tha People se si shkoi dita e xhirimeve më 22 prill. “Në mëngjes erdhëm, bëmë ngrohje… disa prej nesh duhej të mundeshin vërtet, ndaj kishim kaskaderë dhe njerëz me të cilët ushtronim”, rrëfeu ai. Në serial, Kidman interpreton një mundëse profesioniste të quajtur Lace, ndërsa Offerman luan rivalin e saj, Jinx, dhe atë ditë duhej të xhironin një skenë përleshjeje në ring.

“Pastaj erdhi lajmi që Nicole kishte grip dhe se ndoshta nuk do të vinte fare në xhirim”, kujton Offerman. “Të gjithë menduam: ‘Oh jo, kjo është e tmerrshme, sepse kemi vetëm këtë ditë dhe kemi përgatitur gjithë këtë spektakël’”.

- YouTube youtu.be

Megjithatë, aktorja fituese e çmimit Oscar - e cila është edhe producentja ekzekutive e serialit – nuk lejoi që sëmundja ta ndalte. “E morëm këtë lajm rreth orës 8 të mëngjesit”, tha Offerman. “Rreth orës 11 erdhi një tjetër lajm: Nicole po vjen”.

Sipas tij, ylli i Big Little Lies ishte “shumë e sëmurë”, por megjithatë u paraqit në punë. “Ishte aq e zbehtë dhe dridhej. Kishte vërtet grip shumë të rëndë”, përshkroi Offerman. Pavarësisht gjendjes, Kidman “si një superheroinë e vërtetë bëri gjithçka që duhej”, në mënyrë që produksioni të mos humbiste asnjë pjesë nga ajo që ishte e nevojshme për personazhin e saj.

Pas xhirimit të skenës së lodhshme fizikisht, Kidman “u dërgua fjalë për fjalë në spital për serum/infuzion”, përfundoi Offerman. /Telegrafi/