Nicki Minaj po jep mbështetje për një tjetër projekt të madh të lidhur me lëvizjen MAGA.

Reperja foli të mërkurën, më 28 janar, në Trump Accounts Summit në Uashington D.C., ku vlerësoi nismën e presidentit Donald Trump për krijimin e llogarive të investimit për foshnjat e lindura në Shtetet e Bashkuara, shkruan People.


Sipas CNBC, Minaj planifikon të kontribuojë mes 138 mijë dhe 276 mijë euro për këto llogari të ashtuquajtura “Trump Accounts”.

“Unë jam ndoshta fansja numër një e presidentit dhe kjo nuk do të ndryshojë,” u shpreh Minaj, 43 vjeçe, para të pranishmëve, pasi Trump e ftoi atë dhe biznesmenin Kevin O’Leary në skenë. “Urrejtja apo çfarëdo që thonë njerëzit nuk më ndikon aspak. Përkundrazi, më motivon edhe më shumë ta mbështes. Dhe do të na motivojë të gjithëve që ta mbështesim edhe më fort.”

“Ne nuk do t’i lejojmë t’ia dalin mbanë duke e bullizuar,” shtoi ajo. “Ai ka shumë forcë pas vetes dhe Zoti po e mbron. Amen?”

Minaj e kishte paralajmëruar pjesëmarrjen e saj në samitin e organizuar nga Departamenti i Thesarit dhe zotimin për të dhuruar fonde për këtë projekt përmes një postimi në platformën X më 24 janar, ku i cilësoi këto llogari si “kuptimin e vërtetë të të paguarit përpara”.

Foto: Win McNamee/Getty

“Edukimi i hershëm financiar dhe mbështetja financiare për fëmijët tanë do t’u japë atyre një avantazh të madh në jetë,” shkroi ajo. “Në disa raste, ata do të përfundojnë duke u mësuar prindërve të tyre se si dhe ku të investojnë. Kjo më bën shumë të lumtur.”

Trump Accounts janë prezantuar si pjesë e ligjit të quajtur “One Big Beautiful Bill Act”. Sipas Shtëpisë së Bardhë, këto llogari do të jenë të disponueshme për çdo qytetar amerikan të lindur ndërmjet 1 janarit 2025 dhe 31 dhjetorit 2028, dhe secila do të hapet me një kontribut fillestar prej rreth 920 eurosh nga qeveria.

Kontributet vjetore në këto llogari mund të arrijnë deri në rreth 4,600 euro, ndërsa fondet do të investohen në një indeks të gjerë të tregut të aksioneve.

Përfituesit nuk do të kenë pronësi mbi fondet deri në moshën 18-vjeçare. Pas kësaj moshe, tërheqja e mjeteve do të bëhet sipas rregullave standarde të IRA-s. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se, nëse llogaria financohet plotësisht dhe fondet nuk preken, ajo mund të arrijë një vlerë deri në rreth 1.75 milionë euro në moshën 28-vjeçare.

Fondet për këtë nismë vijnë nga donatorë të afërt me Trumpin, përfshirë Nicki Minaj, si dhe themeluesin e Dell Technologies, Michael Dell, dhe bashkëshorten e tij Susan Dell, të cilët në dhjetor të vitit 2025 u zotuan të dhurojnë mbi 5.52 miliardë euro për Trump Accounts.

Në atë kohë, Trump e cilësoi këtë donacion si “një nga aktet më bujare në historinë e vendit”.

Ai shtoi se njeh edhe kompani e miq të tjerë që do të kontribuojnë në këtë nismë, duke theksuar: “Edhe unë do ta bëj këtë.”

Paraqitja e së mërkurës në Uashington nuk është hera e parë që Minaj ka shprehur mbështetje për lëvizjen MAGA në muajt e fundit.

Në nëntor, ajo foli në Kombet e Bashkuara për dhunën fetare jashtë SHBA-së, si e ftuar e administratës Trump.

Minaj gjithashtu lavdëroi Trumpin dhe administratën e tij gjatë një paraqitjeje në skenë së bashku me Erika Kirk, në mbyllje të eventit vjetor AmericaFest të organizuar nga Turning Point USA më 21 dhjetor.

“Kam respektin dhe admirimin më të madh për presidentin tonë,” u shpreh ajo. “Nuk e di nëse ai e di këtë, por u ka dhënë shumë njerëzve shpresë”. /Telegrafi/