Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas performancës spektakolare të këngëtares me famë botërore Dua Lipa, e cila mbrëmë ndezi skenën e natës së parë të Sunny Hill Festival në Prishtinë.

Në një postim të ndjerë në Facebook, presidentja ka shprehur mirënjohje për energjinë që sjell festivali dhe për ndikimin e jashtëzakonshëm të Duas në promovimin e vendit.


Foto: Screenshot (Vjosa Osmani - Facebook)

Reagimi i plotë i Presidentes Osmani:

Sunny Hill Festival është rrëfim i një ëndrre të kthyer në realitet. Një ëndërr që nisi me dashurinë për vendin dhe u kthye në një nga ngjarjet më frymëzuese që e vendos Kosovën në qendër të hartës kulturore globale.

Përmes muzikës, pasionit dhe energjisë së rinisë – Kosova po shkëlqen. Po tregon se edhe nga një vend i vogël, mund të lindin gjëra të mëdha.

Faleminderit, Dua, që ëndrrën tënde e bëre edhe tonën. Faleminderit ekipit të Sunny Hill që e bëni këtë ëndërr realitet çdo vit, duke e sjellë botën në zemër të Kosovës!

Festivali ka nisur fuqishëm dhe sonte pritet të kulmojë me performancën e shumëpritur të yllit ndërkombëtar Shawn Mendes. /Telegrafi/