Nga fushat e Kosovës, në magjinë e Leo Messit – ëndrra që u bë "fotografi e përjetshme" për Albert Sinanin

Albert Sinani është një fotograf profesionist nga Kosova, i cili tash e një kohë jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I njohur për punën e tij të përkushtuar në fushën e fotografisë sportive, Sinani dikur ishte fotografi zyrtar i klubit të futbollit Feronikeli, ku së bashku me stafin e atij ekipi kontribuoi në një transformim të rëndësishëm në mënyrën se si klubet sportive komunikonin vizualisht dhe mediatikisht me publikun.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Sinani u vlerësua gjithashtu me çmime për fotografi sportive, duke u bërë një nga emrat më të dalluar në këtë fushë. Por përkushtimi dhe pasioni i tij për fotografinë nuk kishin kufij, dhe rruga e tij profesionale e çoi deri në një nga skenat më të mëdha të futbollit – Major League Soccer në SHBA.
Së fundmi, ai pati mundësinë unike të fotografonte një nga legjendat më të mëdha të futbollit, Lionel Messin, gjatë një ndeshjeje të Inter Miami-t. Ky moment, për të, nuk ishte vetëm një punë – ishte realizimi i një ëndrre të vjetër.
“Gjatë karrierës sime si fotograf, kam kapur mijëra momente – gola, emocione, trofe dhe histori njerëzore që ndodhin në fushën e blertë. Por ndjesia që përjetova kur u gjenda përballë Lionel Messit ishte krejtësisht ndryshe”, rrëfen Sinani për Telegrafin.

Ai kujton emocionin e veçantë që përjetoi gjatë ndeshjes, pasi para tij kishte një legjendë, siç e quan ai Messin.
“Jam rritur duke e ndjekur Messin në televizor. Për ne që kemi pasion për futbollin, ai nuk është thjesht një lojtar – është frymëzim, është legjendë. Dhe ja ku isha tani, në vijën anësore të fushës, duke ndjekur nga afër çdo hap, çdo driblim, çdo lëvizje të tij në kohë reale.”
Në ato momente, thotë ai, ndjeu se e gjithë loja ishte përqendruar rreth Messit dhe pikërisht argjentinasi prodhoi një mrekulli, që natyrisht Alberti e kapi me kamerën e tij.
“E gjithë skuadra dukej sikur priste vetëm nga ai – që të bënte diçka, që të sillte një mrekulli. Dhe mrekullia ndodhi. Kur Messi përgatitej për një goditje dënimi, e gjithë stadiumi mbante frymën – e unë mbaja fokusin. Dhe kur ai shënoi, e dija se kisha kapur një moment historik”.
Por kulmi i emocioneve ndodhi pas golit, kur stadiumi shpërtheu në brohoritje dhe madje edhe tifozët kundërshtarë filluan të thërrisnin emrin e Messit.
“Ishte një moment që tejkalon rivalitetin – ishte moment respekti ndaj tij. Të fotografosh Lionel Messin nuk është thjesht një punë – është një ndjesi që ta ndryshon jetën. Është një histori që do ta tregoj me krenari gjithë jetën”, përfundon Sinani rrëfimin e tij për Telegrafin.
Për Albert Sinanin, ky episod nuk është vetëm një kujtim i bukur profesional, por një moment jetësor që simbolizon se pasioni dhe përkushtimi mund të të çojnë në vendin e ëndrrave – edhe kur ky vend ndodhet përballë një legjende si Lionel Messi. /Telegrafi/








































