Netflix ka hyrë në një territor të ri duke prezantuar një lojë të vetën të stilit FIFA, por reagimet e para nga lojtarët nuk kanë qenë aspak entuziaste. Sipas tyre, grafika dhe fizika e lojës duken shumë të vjetruara, sikur titulli të ishte zhvilluar të paktën një dekadë më parë.

Lojtarët që kanë parë ose testuar materialet e para të lojës thonë se animacionet e futbollistëve janë të ngurta dhe jo natyrale, ndërsa lëvizja e topit dhe ndërveprimi në fushë nuk i afrohet standardeve moderne të lojërave sportive.


Kjo ka bërë që shumë prej tyre ta krahasojnë përvojën me lojërat e viteve të hershme 2010, duke e konsideruar si një hap prapa në zhvillimin e këtij zhanri.

Video-loja, e titulluar “FIFA World Cup: Launch Edition”, është planifikuar të publikohet më 11 qershor ekskluzivisht për abonentët e Netflix. Ajo synon të sjellë një model të ri loje ku përdoruesit nuk kanë nevojë për konsola tradicionale, pasi mund të luhet drejtpërdrejt në televizor.

Një nga veçoritë më të veçanta është mënyra e kontrollit: lojtari përdor një smartphone si komandues, duke e kthyer telefonin në një lloj joystick-u digjital. Ideja është të bëhet loja më e aksesueshme për një publik më të gjerë, pa pajisje shtesë.

Megjithatë, pikërisht ky koncept ka ngjallur debat. Kritikët thonë se thjeshtësimi i tepërt i video-lojës dhe fokusi në qasje mund të ketë ardhur në kurriz të cilësisë grafike dhe realizmit të video-lojës.

Disa e shohin si një eksperiment të Netflix për të hyrë në tregun e videolojërave, ndërsa të tjerë mendojnë se platforma ende nuk është gati për konkurrencë serioze në këtë industri.

Pavarësisht kritikave, loja pritet të tërheqë vëmendje të madhe për shkak të emrit “FIFA” dhe faktit që është e lidhur me një prej shërbimeve më të mëdha të streaming-ut në botë. Tani mbetet të shihet nëse reagimet negative janë vetëm përshtypje të para apo një problem real në cilësinë e produktit final. /Telegrafi/