Një trailer i ri për video-lojën shumë të pritur Grand Theft Auto VI (GTA 6) do të publikohet më 27 gusht.

Pamjet e reja fillimisht do të jenë të disponueshme për përdoruesit e Netflix, ndërsa më vonë do të publikohen edhe në YouTube.


Sipas njoftimeve, bëhet fjalë për një paraqitje të zgjeruar të video-lojës, e cila pritet t’u japë fansave një vështrim më të thellë në botën e re të GTA 6, përfshirë elemente të lojës dhe ambientet ku zhvillohet historia.

Ky bashkëpunim mes Rockstar Games dhe Netflix i jep platformës së transmetimit një dritare ekskluzive për ta shfaqur materialin para publikut të gjerë, përpara publikimit në kanalet e tjera.

GTA 6 është një nga video-lojërat më të shumëpritura në historinë e industrisë së video-lojërave. Titulli i ri do të rikthejë lojtarët në Vice City, një version imagjinar i qytetit të frymëzuar nga Miami, dhe do të prezantojë personazhe të rinj, përfshirë protagonistët Jason dhe Lucia.

Publikimi i lojës është planifikuar për 19 nëntor 2026 për platformat PlayStation 5 dhe Xbox Series X/S.

Interesi për GTA 6 ka qenë jashtëzakonisht i madh që nga publikimi i trailerit të parë, i cili arriti miliona shikime në një kohë shumë të shkurtër dhe u bë një nga debutimet më të mëdha të një traileri loje në YouTube. /Telegrafi/