“Call of Duty: Black Ops 2”, loja e publikuar fillimisht në vitin 2012, po përjeton një rikthim të jashtëzakonshëm në PlayStation.

Sipas të dhënave të Alinea Analytics, versioni i saj për PS4 dhe PS5 ka shitur më shumë se 8 milionë kopje që nga korriku, duke gjeneruar rreth 325 milionë dollarë të ardhura.


Edhe “Call of Duty: Black Ops” u rikthye në PlayStation, duke shtuar rreth 3 milionë shitje. Të dyja lojërat së bashku kanë kaluar kështu 11 milionë kopje të shitura.

Interesant është fakti se këto nuk janë ribërje moderne, por kryesisht porte të lojërave të vjetra, pa përmirësime të mëdha grafike.

Megjithatë, ato kanë tejkaluar në shitje edhe disa tituj të rinj AAA.

Madje, “Black Ops 2” thuhet se ka shitur miliona kopje më shumë se ribërja e fundit “Assassin’s Creed: Black Flag Resynced” në PlayStation Store.

Shifrat janë vlerësime dhe jo të dhëna zyrtare, por tregojnë se nostalgjia për lojërat klasike të “Call of Duty” mbetet jashtëzakonisht e fortë.