LAJMI I FUNDIT:

Netanyahu kundërshton ndalimin e luftimeve gjatë ditës me qëllim hyrjen e ndihmave në Gazë

Netanyahu kundërshton ndalimin e luftimeve gjatë ditës me qëllim hyrjen e ndihmave në Gazë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kritikoi planet e shpallura nga ushtria izraelite e cila njoftoi se do të ndalojë luftimet gjatë orëve të ditës përgjatë një rruge në Gazën jugore, për të mundësuar hyrjen e një sasie të madhe të ndihmave humanitare për palestinezët.

Ushtria tha se pauza që filloi në orën 8:00 të mëngjesit, do të jetë në fuqi deri në orën 19:00 dhe do të zbatohet çdo ditë deri në një njoftim tjetër.

“Kur kryeministri dëgjoi njoftimet për një pauzë humanitare prej 11-orësh, ai iu drejtua sekretarit të tij ushtarak dhe ia bëri të qartë se kjo ishte e papranueshme për të”, tha një zyrtar izraelit.


Ushtria saktësoi se operacionet normale do të vazhdojnë në qytetin Rafah, objektiv kryesor i operacionit të saj në jug të Gazës, ku të shtunën mbetën të vrarë tetë ushtarë izraelitë.

Reagimi i kryeministrit Netanyahu nxjerr në pah tensionet politike lidhur me çështjen e ndihmave që hyjnë Gazë, ku organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një krizë humanitare në rritje.

Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili drejton një nga partitë fetare nacionaliste në koalicionin qeverisës të Netanyahut e kundërshtoi idenë e një pauze taktike, duke thënë se kushdo që e vendosi ishte një “i marrë” që duhet të pushohej nga puna.

“Pauza taktike” e shpallur nga ushtria, e cila zbatohet në një hapësirë prej rreth 12 kilometrash në zonën e Rafahut, është shumë larg nga një armëpushim i plotë në territorin e rrethuar, që është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë aleatin kryesor të Izraelit, Shtetet e Bashkuara. Nëse qëndron, ndalimi i kufizuar i luftimeve mund të ndihmojë në trajtimin e disa prej nevojave të mëdha të palestinezëve, të cilat janë shtuar edhe më shumë javët e fundit me sulmin e Izraelit në Rafah.

Pauza synon të lejojë kamionët e ndihmave të arrijnë në vendkalimin e afërt të kontrolluar nga Izraeli, Kerem Shalom, hyrja kryesore për ndihmën dhe të udhëtojnë të sigurt në autostradën Salah a-Din, një rrugë kryesore veri-jug, tha ushtria. Vendkalimi është përballur me bllokadë që kur trupat tokësore izraelite u zhvendosën në Rafah në fillim të majit.

Ushtria izraelite njofton një "pauzë taktike" në luftimet në Gazë
Lexo po ashtu Ushtria izraelite njofton një "pauzë taktike" në luftimet në Gazë

COGAT, mekanizmi ushtarak izraelit që mbikëqyr shpërndarjen e ndihmave në Gaza, tha se rruga do të rriste rrjedhën e ndihmës në pjesë të tjera të Gazës, duke përfshirë Khan Younisin, Muwasin dhe Gazën qendrore. Gaza veriore e goditur rëndë, e cila ishte një objektiv i hershëm në luftë, po mbështetet nga ndihmat që hyjnë nga një vendkalim në veri.

Ushtria tha se pauza u vendos pas diskutimeve me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës.

Por, agjencitë e ndihmës, përfshirë OKB-në, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Pauza përgjatë rrugës jugore po ndodhë ndërsa Izraeli dhe Hamasi po shqyrtojnë propozimin e fundit për një armëpushim, një plan që u shpalos me hollësi nga presidenti amerikan, Joe Biden, në përpjekjen më të përqendruar diplomatike të administratës për ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve të marra nga grupi militant.

Ndërsa presidenti Biden e përshkroi propozimin si një plan izraelit, Izraeli nuk e ka mbështetur plotësisht atë dhe Hamasi ka kërkuar ndryshime, që duken të papranueshme për Izraelin.

Ndryshe, fushata ushtarake e Izraelit kundër grupit militant Hamas, e nxitur nga sulmi i grupit me 7 tetor, e ka zhytur Gazën në një krizë humanitare, me OKB-në që raporton uri të përhapur dhe qindra mijëra njerëz në prag të urisë. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Izraelit të bëjë më shumë për të lehtësuar krizën dhe ka thënë se luftimet e vazhdueshme, përfshirë ato në Rafah, kanë ndërlikuar dërgesat e ndihmave gjatë gjithë luftës.

Nga 6 maji deri më 6 qershor, OKB-ja dërgonte mesatarisht 68 kamionë ndihma në ditë, sipas të dhënave nga zyra humanitare e OKB-së, e njohur si OCHA. Kjo sasi ishte më pak nga 168 kamionë në ditë në muajin prill dhe shumë më pak se 500 kamionë në ditë, që grupet e ndihmës thonë se nevojiten.

Por, rrjedha e ndihmave në Gazën jugore ra bashkë me rritjen e nevojave humanitare.

COGAT-i thotë se nuk ka kufizime për hyrjen e kamionëve. Ai thotë se më shumë se 8,600 kamionë të të gjitha llojeve, si ata me ndihma ashtu edhe ata tregtar, hynë në Gazë nga të gjitha vendkalimet nga 2 maji deri më 13 qershor, mesatarisht 201 në ditë. Por pjesa më e madhe e ndihmës është grumbulluar në vendkalime dhe nuk ka arritur në vend.

Një zëdhënës i COGAT-it, Shimon Freedman, tha se është faji i OKB-së që ngarkesat e saj u grumbulluan në anën e Gazës në Kerem Shalom. Ai tha se agjencitë kanë “probleme themelore logjistike që nuk i kanë zgjidhur” veçanërisht mungesën e kamionëve.

OKB-ja mohon akuzat e tilla. Ajo thotë se luftimet midis Izraelit dhe Hamasit shpesh e bëjnë shumë të rrezikshme që kamionët e OKB-së brenda Gazës të udhëtojnë në Kerem Shalom, i cili është afër kufirit me Izraelin.

Marrëveshja e re synon të zvogëlojë nevojën për bashkërendimin e dërgesave duke ofruar një “dritare” 11-orëshe të pandërprerë çdo ditë për kamionët, që të lëvizin brenda dhe jashtë vendkalimit.

Nuk ishte e qartë nëse ushtria do të ofrojë siguri për kamionët e ndihmës ndërsa ata lëviznin përgjatë autostradës. /VOA/