LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës dhe Stereospace nesër nënshkruajnë marrëveshje për funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës në Llukar

Komuna e Prishtinës dhe Stereospace nesër nënshkruajnë marrëveshje për funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës në Llukar

Të mërkurën në shtëpinë e kulturës në Llukar organizata jo-qeveritare Stereospace do të nënshkruajë marrëveshje të re të bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës, me qëllim të ri-funksionalizimit të kësaj qendre për organizimin e aktiviteteve kulturore, të inkubimit dhe aktiviteteve tjera për komunitetin.

Kohë më parë organizata Stereospace bashkë me shkollën publike “Ganimete Tërbeshi” në Llukar dhe Komunën e Prishtinës kanë filluar bashkëpunimin dhe përpjekjet për rikthimin e aktiviteteve kulturore në Shtëpinë e Kulturës në Llukar për nxënësit e shkollës dhe komunitetin.


Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Stereospace ka organizuar dhe do të organizojë një numër aktivitetesh kulturore në shtëpinë e kulturës në Llukar për komunitetin dhe artistët.

‘Investimet në infrastrukturën kulturore dhe në komunitet vlerësohen si të nevojshme për mirëqenien shëndetësore dhe sociale si dhe integrimin ekonomik të komuniteteve. Infrastrukturat kulturore dhe me bazë në komunitet luajnë rol të rëndësishëm në bashkimin e njerëzve dhe përkrahin ndërtimin e shoqërive dhe rrjeteve sociale të përkrahjes. Ato ndihmojnë komunitetet të zhvillojnë shkathtësi të qëndrueshme jetësore’, ka thënë Adrian Berisha, drejtor i kulturës në Komunën e Prishtinës.

Marrëveshja e re e bashkëpunimit do të nënshkruhet të merkurën (29.09.2021) në objektin e Shtëpisë së Kulturës në Llukar në ora 12:00, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes të njejtën ditë do të fillojë shfaqja e programit të rregullt të filmave për nxënësit e shkollës ‘Ganimete Tërbeshi’ në Llukar.