Në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë konfirmuar gjetjen e radhës të mbetjeve kockore.

Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, bazuar në vlerësimin preliminar, mbetjet dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.


“Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se identifikimi i plotë i mbetjeve do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

“Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me rastin.

Ndërkohë, tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., janë nën hetim për dyshimin se kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në masën e paraburgimit.

“PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Institucionet kanë theksuar se çdo zhvillim i ri lidhur me rastin do të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit. /Telegrafi/