LAJMI I FUNDIT:

Neil deGrasse Tyson tregon si t’i mbani fëmijët të interesuar në shkencë

Neil deGrasse Tyson tregon si t’i mbani fëmijët të interesuar në shkencë

Shpeshherë më pyesin prindërit se çfarë këshille mund t’u jap atyre në mënyrë që t’i mbajnë fëmijët të interesuar në shkencë. Unë kam vetëm një këshillë: largohuni nga rruga e tyre! Fëmijët janë të lindur kureshtarë. Pikë.” – shpjegon Neil deGrasse Tyson.

Astrofizikani i njohur, Neil deGrasse Tyson, në një fjalim interesant ka treguar se fëmijët duhet të inkurajohen për t’i eksploruar gjërat që i rrethojnë ata, në mënyrë që të rritni fëmijë të zgjuar.

Truku, normalisht, është që ju thjesht t’i lini ata të eksplorojnë çdo gjë, ndonëse kjo mund të jetë e vështirë për disa prind.

Ky është fjalimi i tij i plotë, të cilin Telegrafi e sjell për ju:

“Fëmijët janë të lindur shkencëtarë. Gjithmonë janë duke i rrotulluar gurët dhe duke i hequr petalet e luleve. Ata gjithmonë janë duke bërë gjëra të cilat kryesisht janë destruktive. Por, pikërisht kjo gjë është eksplorim. Ju largoni një pjesë nga diçka, pa e ditur si ta vendosni atë prapë aty. Këtë e bëjnë fëmijët.

Një shkencëtar i rritur është një fëmijë që asnjëherë nuk është rritur. Këtë e bën një shkencëtar i rritur.

Por çfarë ndodh në shtëpi është se fëmija shkon te frigoriferi, e merr një ve dhe fillon të luajë me të. Cila është gjëja e parë që e bëni ju si prind? ‘Mos luaj me atë vezë, mund të thyhet, vendose aty ku ke’!

Më fal, por ky është një eksperiment për forcën materiale të… Lëreni fëmijën ta zbulojë se kur veza bie në tokë, ajo thyhet. Ky është një eksperiment i fizikës, i cili menjëherë kthehet në eksperiment të biologjisë, në rregull? Kur të verdhët e vezës del nga veza: ju i thoni: ‘hej, ajo dikur shndërrohet në pulë’, në rregull? Por prit, si shndërrohet të verdhët e vezës në pulë? Epo kjo është biologjia, shikojeni atë.

Dhe sa të ka kushtuar veza për këtë eksperiment? 20 cent?

_____________________________________________

Presidenti i Harvardit njëherë ka thënë: “Nëse mendoni se edukimi është i shtrenjtë, ju duhet ta provoni koston e injorancës”.

_____________________________________________

Pra nuk kemi shumë prindër që e kuptojnë ose dinë ta vlerësojnë natyrën kureshtare të fëmijëve të tyre, sepse dëshirojnë të mbajnë rregull në shtëpi. Fëmijët futen në kuzhinë, i marrin të gjitha tenxheret dhe lugat dhe fillojnë t’i godasin, cila është gjëja e parë që e thoni ju si prind? ‘Mos e bëjë tërë atë zhurmë, ndale atë, je duke i fëlliqur tenxheret dhe lugët’.

Ju sapo keni pamundësuar një eksperiment të tërë në fushën e akustikës.

Pra, unë nuk jam i brengosur për fëmijët. Njerëzit më pyesin se si mund t’ju ndihmojë që fëmijët e tyre të interesohen në shkencë, ndërkaq unë iu them se ata veçse janë të interesuar në shkencë, problemi jeni ju!

Thuajse tërë energjinë time profesionale e shpenzoj te të rriturit, sepse ata votojnë, e udhëheqin botën dhe kanë shumë mundësi.

Fëmijët do të jenë në rregull!” /Telegrafi/