Konferenca është organizuar nga UBT, në bashkëpunim me Asociacionin Austriak-Kosovar, Klubin Alpbach – Kosovë, si dhe me mbështetje nga Ambasada e Austrisë në Prishtinë si dhe anëtarët e Shoqërisë austriake të Kosovës në Kosovë dhe akterët kyçë austriakë që mbështesin Kosovën.

Sipas një njoftimi thuhet se ndër temat kryesore që u shtruan për diskutim gjatë sesionit të hapjes dhe që do të shtrohen për t’u diskutuar gjatë dy ditëve të konferencës, janë: E ardhmja evropiane e Kosovës; Përvojat e Austrisë si një shtet që shënon 20-vjetorin e anëtarësimit në BE; Sfidat e Kosovës sot në rrugën drejt Bashkimit Evropian; E-Qeverisja si bazë për Qeverisje të Mirë; E-Qeverisja si bartëse e reformës në fokus në kujdesin shëndetësor; E-Arsimi si faktor kyç për reformimin e Arsimit në Kosovë; Bashkëpunimi ekonomik midis Austrisë dhe Kosovës, Reforma ekonomike në bazë të e-Qeverisë si faktor kyç për investime të mëtejshme të Austrisë në Kosovë; E-Qeverisja dhe bashkëpunimi në inovacion ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, si faktor kyç për menaxhim urban dhe kadastër etj.


Në hapje të konferencës, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka falendëruar të pranishmit për pjesëmarrje, si dhe të bashkorganizatorët e kësaj konference, që ofron tema me shumë interes për opinionin kosovar dhe më gjerë.

Ndërkaq ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.MahirYağcilar, theksoi se institucionet dhe qytetarët e vendit tonë synojnë një Kosovë evropiane.

Ai ka falënderuar organizatorët për organizimin e kësaj konference ndërkombëtare për qeverisje elektronike, me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin, për avancimin dhe zhvillimin e qeverisjes elektronike në Kosovë.

Sipas njoftimit, një mysafire e veçantë në konferencë ishte edhe Adriana Boersma, menaxhere e rrjetit të “Microsoftit” në mbi 20 shtete. /Telegrafi/