LAJMI I FUNDIT:

Në SHBA krijohet një faqe si bazë e të dhënave për ish-të dashurit, ku femrat i vlerësojnë meshkujt me të cilët kanë dalë

Në SHBA krijohet një faqe si bazë e të dhënave për ish-të dashurit, ku femrat i vlerësojnë meshkujt me të cilët kanë dalë
(Foto: Zing)

Një amerikane ka krijuar një bazë të dhënash të “ish të dashurve të këqij”, në mënyrë që femrat t’i ndajnë përvojat e tyre të këqija me meshkujt me të cilët kanë dalë, në një faqe interneti që e përshkruajnë si “Tripadvisor për ish-ët”.

Themeluar nga Tracy Tegan, “The ex-Boyfriend List” paraqet histori të meshkujve që i kanë tradhtuar partneret e tyre, i kanë trajtuar me mungesë respekti apo edhe i dhunuan verbalisht ose fizikisht.


“Të gjithë kemi atë ish-humbës për të cilin duam t’i paralajmërojmë të tjerët dhe tani ju mund ta bëni pikërisht këtë. Kjo është baza juaj e të dhënave për djemtë e këqij, ose siç duam ta quajmë, ‘lista e djemve të këqij’”, shkruan përshkrimi i faqes në internet.

Femrat janë të ftuara të ndajnë eksperiencat e tyre në detaje dhe të lënë emrin e ish të dashurit të tyre, qytetin dhe vendin ku ai jeton.

(Foto: Astrosaloni)

Megjithatë, rregullat strikte diktojnë që të dhënat personale, duke përfshirë numrin e telefonit privat, adresën, vendin e punës dhe detajet e familjes së tij, nuk mund të tregohen.

“Ky vend është për të gjitha ju femrat që ishit lumturisht të dashuruara me një djalë që nuk po investonte mjaftueshëm në marrëdhënie dhe po përfitonte prej jush në mënyra që nuk e kuptonit se mund të ishin të tilla”.

“Përmes këtij procesi që kemi ndërtuar, ju mund të zbuloni të vërtetën rreth tij dhe të shpëtoni jetë”, ka thënë Tracy.

Tegan gjithashtu inkurajon gratë që kanë dyshime për një partner të mundshëm që ta kërkojnë atë në bazën e të dhënave. /Telegrafi/