ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Kur Stefano Angeloni parkoi makinën e tij të vjetër Honda në Via Catullo të Romës, vijat e bardha në vendin e parkimit e bënë të qartë se ai nuk do të duhej të paguante.

Por kur dentisti 65-vjeçar u kthye të nesërmen në mëngjes, vijat ishin bërë të kaltra dhe një gjobë prej 29.40 eurosh iu vu nën fshirësen e xhamit të tij.


Ai nuk ishte viktima e vetme e sulmit të këshillit të parkimit gjatë natës, transmeton Telegrafi.

Pronarëve të makinave u janë lyer vija të reja trafiku rreth automjeteve të tyre dhe më pas janë gjobitur nga zyrtarë tepër të zellshëm për parkim të paligjshëm.

Ekipet e këshillit zbritën në rrugët e kryeqytetit italian dhe, me disa shtresa bojë, i transformuan vendet e lira dhe të ligjshme të parkimit në vende me pagesë brenda natës.

Në vend që të hiqnin makinat e parkuara, ata lyenin rreth gomave të tyre.

Vendet e parkimit falas janë shënuar me vija të bardha në Romë, ndërsa vendet e parkimit me pagesë janë të përcaktuara me bojë të kaltra.

Midis banorëve të prekur ishte Angeloni, i cili e kishte parkuar makinën e tij ligjërisht në lagjen luksoze Prati.

Nuk kishte pasur njoftim paraprak për ndryshimin, tha ai.

Angeloni e filmoi vendin me telefonin e tij dhe e postoi në rrjetet sociale, duke menduar se mund të nxiste komente nga miqtë dhe familja.

Por videoja u bë virale, me më shumë se 40,000 shikime dhe mijëra komente nga romakë simpatikë. Disa thanë se kishin hasur të njëjtat ndryshime të papritura parkimi gjatë natës në zona të tjera të kryeqytetit.

"Shikojeni këtë. E lashë makinën brenda vijave të bardha. Një ditë më vonë dhe i kanë lyer me të kaltra. Me sa duket, nuk mundën ta ngrinin makinën time - as të tjerat. Vijat e bardha janë bërë të kaltra. Rezultati? Një gjobë e mrekullueshme. Fantastike, apo jo? Jetojmë në një qytet fantastik", tha ai me ironi në video.

Ndërsa disa banorë e gjetën episodin qesharak, të tjerë reaguan me dorëzim të lodhur.

"Gjëja më romake ndonjëherë", shkroi njëri në Instagram.

Një grua italiane komentoi: "Më pëlqen mënyra se si i lyen gomat përreth. Kjo kërkon aftësi".

Një tjetër tha: "Njollat nën gomat e makinës suaj janë ende të bardha, kështu që mendoj se mund ta kundërshtoni këtë gjobë".

Angeloni pranoi se mund ta kishte kundërshtuar gjobën, por vendosi ta paguante sepse makina i përkiste kunatës së tij dhe ai nuk donte që ajo të ngarkohej me telashe.

Koorporata që menaxhon vendet e parkimit me pagesë në qytet, e njohur me akronimin ATAC, pranoi se punonjësit e saj kishin vepruar me "një zell të tepruar" në lyerjen e automjeteve të parkuara.

Gjobat e lëshuara ndaj Angeloni dhe të tjerëve në një situatë të ngjashme do të anuloheshin dhe rimbursimet do të jepeshin, tha ajo.

Kompania tha se do t'u jepte banorëve dhe shoferëve më shumë njoftim kur rregullat e parkimit do të ndryshonin.

Parkimi në Romë është tashmë një luftë e përditshme, me shoferët që shpesh kalojnë gjysmë ore ose më shumë duke kërkuar një vend të lirë, pa lyerje gjatë natës që ndryshon papritur rregullat.

Parkimi i paligjshëm në çdo vend të disponueshëm është endemik, ashtu si edhe parkimi i dyfishtë dhe madje i trefishtë.

Shoferët e gjejnë veten të bllokuar rregullisht nga makina të tjera dhe përdorin boritë e tyre vazhdimisht për të tërhequr vëmendjen e kujtdo që i ka bllokuar. /Telegrafi/