Komuna e Pejës ka njoftuar për shpërndarjen e traktorëve për fermerët përfitues në kuadër të programit për mekanizimin bujqësor, i cili bashkëfinancohet nga komuna dhe vetë fermerët.

Sipas njoftimit, faza e parë e projektit u realizua këtë të martë, ku 19 fermerë morën traktorët e tyre në kuadër të Thirrjes Publike “Furnizim me mekanizëm bujqësor – Traktor”.


Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, Tahir Shala, të cilët uruan përfituesit dhe theksuan rëndësinë e investimeve në sektorin e bujqësisë.

Muhaxheri deklaroi se mekanizimi bujqësor mbetet një nga prioritetet e komunës, duke shtuar se investimet e tilla synojnë rritjen e prodhimit vendor, modernizimin e fermave dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët.

Ndërsa, drejtori Shala tha se interesimi i fermerëve për këtë program ka qenë i madh, ndërsa vlerësoi se pajisja me mekanizëm modern do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e ekonomive familjare në zonat rurale.

Sipas Komunës së Pejës, në total do të shpërndahen 65 traktorë për fermerët përfitues, ndërsa projekti pritet të përfundojë deri më 20 gusht. /Telegrafi/