Në Mitrovicë “monitorohet” përzgjedhja e mësimdhënësve (Foto)

Sipas një komunikate të Komunës së Mitrovicës, komisioni përzgjedhës që është formuar nga autoritet komunale, ka shqyrtuar mbi 400 aplikacione, ndërsa shpejt pritet të dalin me përzgjedhjen e kandidatëve të pranuar.
“Komisioni publikisht ka shqyrtuar dokumentacionin e kandidatëve... Me këtë rast, në mënyrë po ashtu transparente janë kontrolluar dosjet e aplikantëve”, ka deklaruar Drejtoresha e Arsimit, Ajmane Berani.
Sipas saj, “një mënyrë e tillë e selektimit dhe monitorimit, heq dilemat për parregullsi eventuale”.
“Do të bëhet ç’është e mundur që të përzgjedhim kandidatët më të mirë që kanë aplikuar”, thotë ajo.
Bëhet e ditur se një “përzgjedhje” e tillë për pozitat e shpallura për bibliotekar, sekretar shkolle dhe punëtorë teknikë nëpër shkolla, do të vazhdojë të hënën.
“Mundësinë e monitorimit do ta kenë shoqëria civile, mediat, këshillat e shkollave e po ashtu drejtorët e shkollave përkatëse”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/



















































