Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte pasqyruar në edicionin qendror të lajmeve të Radio Televizionit të Serbisë për gjithsej dy orë e nëntë minuta në periudhën nga 15 marsi deri më 30 prilli.

Në anën tjetër, gjashtë partitë më të mëdha të opozitës janë shfaqur në kronikat prej 4 minuta dhe 25 sekonda në shërbimin publik.

Me një llogaritje të thjeshtë, opozita fitoi 5.8 sekonda në ditë në RTS, dmth më pak se një sekondë për parti, raporton nova.rs.

Kjo tregohet nga rezultatet e monitorimit të Byrosë për Kërkime Sociale BIRODI, të cilat nga viti në vit tregojnë dhe vërtetojnë situatën me raportimin e shërbimit publik, por edhe të televizioneve të tjerë me një frekuencë kombëtare.

Ndërkohë, presidenti serb ishte i pranishëm për 18.5 orë në të gjashtë televizionet me frekuencë kombëtare.

Të gjashtë partitë e përmendura të opozitës morën gjithsej tre orë e 22 minuta, por është e rëndësishme të theksohet se kishte lajme negativ prej një orë e 47 minuta në llogari të Dragan Gjilasit. /Telegrafi/