Konsumatori i informuar për atë që blen është faktor nxitës i zhvillimit të ekonomisë së një shteti, por edhe faktor që ndikon në zhvillimin e shoqërisë – në përgjithësi. Tendencat për t’u njohur me produktet që hidhen në treg, nëpërmjet reklamave, kanë bërë që konsumatorët të jenë viktimë. Ndaj, mbrojtja e konsumatorit është fushë me rëndësi dhe kjo do të reflektohet edhe në zhvillimin shoqëror e ekonomik që do të marrë një vend.

Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, do të shkëpus disa fragmente që kanë të bëjnë me informimin e konsumatorëve në Kosovë, nga tema e doktoratës me titull: “Mekanizmat juridik për mbrojtjen e konsumatorëve në të drejtën komparative, me theks të veçantë në Republikën e Kosovës”, të cilën jam duke e punuar nën mentorimin e prof.dr. Adnan Jasharit, në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

I gjithë historiku i mbrojtjes së konsumatorit fillon me nënshkrimin e Traktatit nga shtetet përfaqësuese për themelimin e Bashkimit Evropian, në Romë, në vitin 1957, ku si rrjedhojë, në fund të vitit 1973, miratohet Karta Evropiane për Informimin dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve, respektivisht të drejtat e tyre për: mbrojtjen nga rreziqet e jetës; mbrojtjen e shëndetit dhe pronës gjatë pranimit të produkteve/shërbimeve në treg; mbrojtje juridike dhe mbështetje shtetërore; informim dhe arsimim; bashkimin në shoqata me qëllim të mbrojtjes së interesave të tyre; përfaqësimi në trupat vendimmarrëse mbi të drejtat dhe interesat e konsumatorëve.

Brenda këtyre parimeve, deri më sot Komuniteti Evropian ka mundur të krijojë legjislacion të pasur mbi mbrojtjen e konsumatorëve, kjo gjithherë në pajtim me trendët zhvillimorë të kohës. Pikërisht këto vite, pra vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, dihet të kenë shënuar përparim të prekshëm, ku përpos tjerash, politika për mbrojtjen e konsumatorëve zyrtarizohet si politikë e Bashkimit Evropian. Traktati i Amsterdamit (1979), vijimisht përcakton themelet mbi të drejtat elementare të mbrojtjes së konsumatorëve, si pjesë përbërëse e politikës të shteteve anëtare të BE-së.

Mbrojtja e konsumatorëve paraqet një fushë jashtëzakonisht dinamike në Bashkimin Evropian, që predisponon shumë shpesh masa të reja, dhe kjo paraqet arsye të mjaftueshme për të vepruar bashkërisht nga të gjitha autoritetet kombëtare (qeveritare dhe joqeveritare) të sferës së mbrojtjes së konsumatorëve.

Kosova, në të kaluarën, nga aspekti i mbrojtjes së konsumatorëve ka përvoja modeste. Pas vitit 1999, gradualisht ka filluar aktiviteti legjislativ i institucioneve kosovare, së bashku me ato ndërkombëtare për hartimin e normave dhe rregullimin e materies së mbrojtjes së konsumatorëve. Bazuar në të gjithë indikatorët dhe sondazhet relevante, në vrojtimet dhe konstatimet, respektivisht përvojat disavjeçare të inspektorateve në terren, mediave elektronike dhe të shkruara, si dhe të vetë qytetarëve dhe shoqërisë civile në përgjithësi, mbrojtja e konsumatorëve kërkon aktivitete dhe përkushtim më të madh.

Shteti dhe institucionet e tij janë të obliguara me Kushtetutë dhe me ligje që të kujdesen për sendërtimin e plotë të të drejtave të konsumatorit.

Është imperativ i vazhdueshëm, detyrë dhe përgjegjësi e institucioneve kosovare, që të bëjnë më tepër në ndryshimin e gjendjes dhe përshpejtimin e zhvillimit sa më cilësor dhe përmbajtjesor të mbrojtjes së konsumatorit në të ardhmen. Këto përpjekje dhe aktivitete, në mënyrë shumëdimenzionale dhe të koordinuara me të gjithë autorët dhe faktorët kompetentë dhe të interesuar, duhet të bëhen në vazhdimësi dhe të ndërmerren masa avancuese. Shteti dhe institucionet kompetente të tij kanë po aq obligim t’i mbrojnë edhe prodhuesit, tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve, ku kjo detyrë institucionale e organeve dhe organizmave shtetërorë më tepër ka të bëjë me subjektet të cilat me produktet e tyre, sjelljet e mira dhe kualitetin e shërbimeve të ofruara në mënyrë korrekte, kryejnë obligimet ligjore, si ndaj shtetit, ashtu edhe ndaj konsumatorëve.

Në mënyrë që një vend sikurse Kosova të arrijë gatishmërinë të jetë pjesë e tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian, duhet krijimi i mekanizmave që do të vërtetonte meritën e besimit nga konsumatorët në tregun e brendshëm, përmes rregullave të qarta dhe zbatim të ligjit. Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, një nga përgjegjësitë kryesore për t‘u përmbushur përgjatë këtij procesi paraqet përshtatja e legjislacionit kosovar me atë të BE-së (Acquis communautaire).

Mbrojtja e konsumatorëve paraqet edhe kategori kushtetuese. Si e tillë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, me dispozitat e paragrafit 3 dhe 7 të nenit 119, në mënyrë precize dhe shprehimisht garanton mbrojtjen e konsumatorit. Kjo fushë tejet e rëndësishme për çdo qytetar të Kosovës, aktualisht rregullohet me më shumë se 30 ligje (përfshire akte tjera nënligjore). Rregullimi i fushës ligjore të mbrojtjes se konsumatorit në Kosovë, ka filluar në vitin 2004, respektivisht nën qeverisjen e përkohshme të UNMIK-ut, përmes Ligjit 2004/17 për Mbrojtjen e Konsumatorit. Plotësim-ndryshimi i Ligjit 2004/17, është bërë në vitin 2009 (03/L -131), në kohën kur mbrojtja e konsumatorit ishte ende zyrë/pjesë e Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi ishte themelimi i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ndryshimi i Ligjit 2004/17, në Ligjin aktual në fuqi (04/L – 121) përgjatë vitit 2012, pastaj dihet të ketë paraparë një sërë plotësimesh, posaçërisht në relacion me detyrimet e shitësit, prodhuesit dhe furnizuesit, respektivisht, ligji aktual prek fusha të reja konkrete krahas të drejtës së konsumatorit, sikurse: shitja në aksion, zbritja e çmimeve, shitja në tregje të hapura dhe mallrave me defekte; shërbimeve publike; pagesave; kontratave; shërbimeve financiare; kushteve të padrejta; praktikave tregtare; reklamimeve; shitblerjes përmes internetit; informimit dhe edukimit; zgjedhjeve të mosmarrëveshjeve dhe mbrojtjes kolektive. Ndryshimi i ligjit nr. 06/l-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili është bërë për rregullimin e mëtejshëm krahas dy shtyllave kryesore, sikurse harmonizimin me legjislacionin aktual të BE-së dhe ligjeve nacionale që ndërlidhen me mbrojtjen e konsumatorit, posaçërisht me atë të Inspektoratit të Tregut, përkatësisht në relacion me trajtimin e ankesave, dhe plotësime të tjera të rëndësishme që parashihen kundruall ligjit aktual, ndërlidhen me Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Harmonizimi me legjislacionin aktual të BE-së, ndër tjera, prioritet kryesor ka ‘Direktivën mbi të Drejtën e Konsumatorit’ (2011/83-EU), karshi direktivave mbi të cilat është bazuar ligji i vitit 2012.

Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është organi kompetent që rregullon organizimin dhe funksionimin e strukturës përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve. Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozim të ministrit së MTI-së, emëron anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit. Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i dorëzon raportin vjetor Qeverisë së Kosovës. Gjithashtu, me propozim të ministrit, Qeveria miraton Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve 2016-2020, është i një rëndësie të veçantë për Qeverinë e Kosovës ngase, përmes tij, MTI-ja synon avancimin e mbrojtjes së konsumatorëve, në relacion me shëndetin publik, ambientin dhe tregun.

Objektivi kryesor i politikes 2016-2020, për mbrojtjen e konsumatorit paraqet zhvillimin e mëtutjeshëm të mbrojtjes së konsumatorit, që me këtë rast mbështetet në synimet dhe masat :

– Harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit;
– Forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm i kapaciteteve administrative;
– Informimin dhe edukimin e konsumatorëve

Mirëpo, mbrojtja juridike e konsumatorit nuk kufizohet vetëm me dispozitat që parashihen në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, por ajo mbrojtje është edhe më e gjerë. Kjo pasi përveç mbrojtjes kushtetuese të konsumatorit, si burim i të gjitha mbrojtjeve të llojeve tjera ekzistojnë edhe ligje tjera të cilat drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ndikojnë në mbrojtjen e konsumatorëve.

Nga kjo vë në dukje edhe qëllimin se mbrojtja juridike e konsumatorëve është shumë e rëndësishme për çdo shoqëri, ndërsa për Republikën e Kosovës që objektiv të saj strategjik ka anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, paraqet interes shtetëror pasi një ndër kushtet që i kërkohen nga ana e BE-së është edhe forcimi i sundimit të së drejtës, demokracisë dhe ekonomisë së tregut që ndikon direkt në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Kjo nga ana tjetër përbën grupin më të madh shoqëror në botë për arsye se secili prej nesh, në njërën apo tjetrën mënyrë, mund të jetë blerës i ndonjë malli ose shfrytëzues i ndonjë shërbimi.

Në Republikën e Kosovës, mbrojtjes juridike të konsumatorëve gjithnjë e më tepër po i jepet rëndësi nga shteti çka dëshmon edhe fakti se në kuadër të Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim të nënshkruar me 27 tetor 2015 në Strasburg, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Kosova u obligua që ta përputhë legjislacionin dhe implementimin e tij edhe në lëmin e mbrojtjes së konsumatorëve.

Por, nga ana tjetër, brengosë fakti se qytetarët e Republikës së Kosovës ende nuk i njohin mjaftueshëm të drejtat e tyre juridike si konsumator dhe nuk janë të vetëdijshëm për rolin kyç që ata e kanë në ekonominë e tregut, kështu që e domosdoshme është ndërmarrja e kampanjave për informim, edukim dhe këshillim të konsumatorëve, siç janë informimi dhe edukimi i konsumatorëve mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre; publikimi i informacioneve të duhura dhe instruksioneve për konsumatorët; hulumtimi, analizimi dhe kontrollimi i shërbimeve të ofruara në treg; është i domosdoshëm një sensibilizim dhe fushatë informuese për të drejtat dhe obligimet ligjore të qytetarëve.