Në Frashër të Mitrovicës nis ndërtimi i Parkut Industrial, investim rreth një milion euro

Në fshatin Frashër të Mitrovicës është shënuar nisja e punimeve për Parkun Industrial, me ceremoninë e inaugurimit dhe vendosjen e gurthemelit. Projekti, sipas të dhënave të prezantuara, kap vlerën rreth një milion euro.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se dinamika e punimeve parasheh përmbylljen e tyre brenda 150 ditëve, ndërsa shprehu pritjen që parku të jetë funksional brenda këtij viti dhe të nisë vendosja e bizneseve.
“Ne po e lajmë një pjesë të borxhit të cilin ia kemi Mitrovicës me këtë investim afër një milion euro. Këtu mund të vendosen biznese të ndryshme nga Mitrovica, Kosova por edhe investitorë të huaj… Këtu mund të vinë edhe bizneset nga mërgata”, deklaroi Kurti, duke shtuar se pas infrastrukturës bazë do të pasojë edhe infrastruktura tjetër që e modernizon parkun.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se nisja e një projekti të tillë është sinjal për investitorët e jashtëm se Kosova është e gatshme për investime dhe se po synohet rritja e prodhimit vendor e produkteve me vlerë të shtuar.
“Fillimi i punimeve për një projekt të kësaj natyre jep mesazhin se Kosova është e gatshme dhe e sigurt për investime… Në këtë park do të ketë kompani prodhuese”, u shpreh ajo, duke përmendur se një nismë e tillë mund të tërheqë interes edhe nga kompani të vendeve të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se komuna synon të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e biznesit dhe të rrisë investimet, me qëllim që Mitrovica të shndërrohet në një nga qytetet më të zhvilluara.
“Zotimi im është që të krijojmë kushte më të favorshme të të bërit biznes… Ambicia jonë është që të vazhdojmë”, potencoi ai. /Telegrafi/




















































